Ish-Nënpresidenti Mike Pence po tregohet gjithnjë e më i guximshëm për t’iu kundërvënë ish-Presidentit Donald Trump.
Që të dy do të zhvillojnë tubime në Arizona të premten në mbështetje të kandidatëve rivalë që ofrojnë vizione tërësisht të ndryshme për Partinë Republikane në një shtet të rëndësishëm fushëbetejë. Vetëm pak ditë më vonë, ata do të mbajnë fjalime në të njëjtën ditë në kryeqytetin amerikan.
Zhvillimet shënojnë një fazë më konfrontuese në marrëdhëniet e tensionuara Trump-Pence, të cilët së shpejti mund të përballen kundër njëri-tjetrit për të fituar mbështetjen e Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, nëse vendosin të kandidojnë.
“Mendoj se ky është një vazhdim i mesazhit më të gjerë që Pence po përpiqet të mishërojë, që është se Partia Republikane duhet të shohë nga e ardhmja”, thotë analisti konservator Scott Jennings. “Kjo do të jetë pyetja ekzistenciale për Partinë Republikane, nëse do të ketë pikëpamje të ndryshme nga ato të Donald Trump-it. Aktualisht, Mike Pence po mban flamurin për këtë”.
Kjo qasje shënon një kthesë të qartë për zotin Pence, i cili për katër vite në Shtëpinë e Bardhë ishte mbështetësi më besnik i Donald Trump-it.
Por zoti Trump doli kundër Nënpresidentit Pence kur ai refuzoi t’u bashkohej përpjekjeve të tij antikushtetuese për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020, duke e vënë zotin Pence nën objektivin e një turme të dhunshme gjatë sulmit në Kapitol më 6 janar.
Tashmë zoti Pence, i cili ka mbrojtur vazhdimisht veprimet e tij atë ditë, po bën një përpjekje më aktive për të formësuar të ardhmen e partisë.
Këtë javë, zoti Pence shprehu mbështetjen për Karrin Taylor Robson në zgjedhjet brenda republikanëve për postin e guvernatorit të Arizonës. Por zoti Trump mbështet kandidaten republikane Kari Lake, ish-gazetare që ka përqafuar teoritë e zotit Trump për manipulim me zgjedhjet.
“Karrin Taylor Robson është e vetmja kandidate për guvernatore që do të mbajë të sigurtë kufirin dhe rrugët e Arizonës, fuqizojë prindërit dhe krijojë shkolla të shkëlqyera dhe shtyjë përpara vlerat konservatore”, tha zoti Pence në një deklaratë duke njoftuar vendimin e tij për mbështetjen e kandidates Robson.
Zoti Pence mbështeti guvernatorin e Xhorxhias Brian Kemp i sulmuar ashpër nga zoti Trump i cili mundi lehtësisht sfiduesin e zgjedhur të ish-presidentit këtë pranverë në zgjedhjet brenda partisë.
Zoti Pence planifikon të bëjë fushatë në mbështetje të kandidates Robson në Feniks dhe në jug të Arizonës të premten, në të njëjtën ditë kur zoti Trump do të kryesojë një tubim për kandidaten Lake. Tubimi u riplanifikua pas vdekjes së gruas së parë të zotit Trump, Ivana Trump. Një zëdhënës i zotit Trump nuk iu përgjigj kërkesave për komente mbi ngjarjet.
Përpjekjet e zotit Pence vijnë ndërsa zoti Trump po përgatitet të nisë këtë verë një fushatë të tretë për Shtëpinë e Bardhë, ndërsa përballet me një mori hetimesh lidhur me përpjekjet e tij për të mbajtur pushtetin./voa/
Vedat Muriqi i shënon Barcelonës, menjëherë pasi u kthye nga...
Debate rreth ndarjes së punëve të shtëpisë nga Sara
LDK në Lipjan bën publike pesë emrat e kandidatëve për deput...
Zeqiri: Po punohet pandërprerë në devijimin e kanalit të Ibë...
“Tash shkoj e puthi”, Gjesti flet me Rovenën dhe Vullnetin p...
“Kujt ia mësyj e shti në dorë”, Xheneta dhe Anisa përplasen ...