Inspektimet e aeroplanëve “Boeing 737 Max 9” zbulojnë detaje të frikshme për sigurinë

07:58 | 9 Janar 2024
R J

United Airlines ka thënë se gjatë inspektimeve të aeroplanit “Boeing 737 Max 9” janë gjetur bulona që kanë nevojë “për përforcim shtesë”, raporton BBC”.

Inspektimet nisën pasi dera e aeroplanit “Alaska Airlines 737 Max 9” ishte shkëputur të premten derisa ishte ngritur në ajër.

United Airlines tha se “çështjet e instalimit” të lidhura me dyert do të “zgjidhen” përpara se ky lloj i aeroplanit të kthehet sërish në shërbim.

Rreth 171 aeroplanë të llojit të njëjtë u është ndaluar fluturimi nga rregullatori në SHBA.

“Që kur nisën inspektimet fillestare të shtunën, kemi gjetur raste që duket se lidhen me çështjen e instalimit në prizën e derës – shembull, bulona që kishin nevojë për përforcim shtesë”, ka thënë në deklaratë United Airlines.

Dera e aeroplanit të “Alaska Airlines” ra në mënyrë dramatike në mes të fluturimit mbi Oregon.

Kishte rënë në një kopsht të një mësuesi.Avioni bëri ulje emergjente dhe nuk pati pasagjerë të lënduar.

Shumica dërrmuese e aeroplanëve “Boeing 737 Max 9” në SHBA operohen nga United Airlines dhe Alaska Airlines. Ndërsa Turkish Airlines, Copa Airlines dhe Aeromexico po ashtu kanë vendosur të pezullojnë fluturimet e këtij modeli derisa të bëhen inspektime.

Rreth 200 fluturime të United Airlines janë anuluar të hënën dhe pritet të ketë anulime të shumta edhe të martën.

“Kemi qenë në gjendje të kryejmë disa fluturime duke kaluar në lloje tjera të avionëve”, ka thënë United Airlines.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme