Indinë e djeg vapa, temperaturat deri në 47 gradë

22:00 | 2 Qershor 2018
Trina Galanxhi

Me ujë falas dhe bojë që reflekton dritën, India ka mundur ta ulë numrin drastik të vdekjeve nga i nxehti.

Veriu i vendit, ashtu si edhe Pakistani fqinj, është në darën e një vape përvëluese me temperatura që mbërrijnë deri në 47 gradë Celsius. India është veçanërisht e ndjeshme ndaj rritjes së temperaturave që shkencëtarët e lidhin me ndryshimet klimaterike dhe ngrohjen globale.

Që prej vitit 1992, rreth 25 000 indianë llogaritet që të kenë vdekur prej valëve të mëdha të të nxehtit. Por, këto dy vitet e fundit numri i njerëzve që kanë ndërruar jetë për shkak të sëmundjeve të lidhura me vapën e skajshme, ka rënë ndjeshëm, nga 2 040 që ishin përpara tre vjetësh, kur nisën të shkrijnë edhe rrugët, në pak më shumë se 200 vdekje të regjistruara vitin e kaluar.

Për autoritetet e shëndetit publik, ky është një triumf i mendimit praktik. Një kombinim i fushatave të ndërgjegjësimit me trajnimin e personelit mjekësor si dhe ndryshime të tjera të thjeshta të politikave si lënia hapur e portës së kopshteve publike gjatë ditës, ka shmangur mijëra vdekje me pak kosto.

Në periudhat e nxehta, ditët e shkollës janë reduktuar, në rrugët më të frekuentuara shpërndahet ujë falas, ndërsa çatitë e banesave në lagjet e varfra janë lyer me bojë të bardhë që kthen dritën, duke bërë që temperatura brenda në shtëpi të ulet deri me 5 gradë.

Mjekët po kështu nuk marrin pushime në ditët përvëluese, atyre u duhet të kontrollojnë termometrin e të sigurohen që në momentet e vështira, spitali do të ketë staf mjaftueshëm.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme