India ka nisur të shtunën misionin e saj të parë hapësinor për të studiuar Diellin, më pak se dy javë pasi realizoi një ulje të suksesshme në polin jugor të Hënës me një mjet hapësinor pa ekuipazh.
Anija hapësinore Aditya-L1 u nis me një mjet për lëshimin e satelitëve nga qendra hapësinore Sriharikota, në Indinë jugore, me detyrën për të studiuar Diellin nga një distancë prej 1.5 milionë kilometrash nga Toka.
Pika e njohur si L1, mundëson një pamje të pandërprerë të Diellit.
Anija hapësinore mbart shtatë pajisje për të studiuar kurorën e Diellit, kromosferën, fotosferën dhe erërat diellore, tha Organizata Indiane e Studimit Hapësinor (ISRO).
Pas gati një ore, ISRO njoftoi se lëshimi u “përmbush me sukses”.
“Mjeti e ka vendosur satelitin me saktësi në orbitën e planifikuar. Observatori i parë diellor i Indisë ka filluar udhëtimin drejt asaj që njihet si pika L1 Diell-Tokë”, njoftoi ISRO nëpërmjet një mesazhi në platformën X, e njohur më parë si Twitter.
Satelitit do t’i duhen 125 ditë për të mbërritur në pikën L1.
Kur të jetë pozicionuar, sateliti do të mund të japë paralajmërim të hershëm për pjesëza dhe rrezatim nga aktiviteti i rritur diellor, që mund të nxjerrë jashtë funksionimit rrjetet energjetike në Tokë, tha shkencëtari B.R. Guruprasad, në një artikull në gazetën “The Times of India”.
Paralajmërimi i hershëm mund të mbrojë edhe satelitët, që shërbejnë si infrastruktura kryesore e ekonomisë globale, si dhe personat që gjenden në stacionet hapësinore.
Më 23 gusht, India u bë vendi i parë që uli një mjet hapësinor pranë polit jugor të Hënës – një udhëtim historik në territor të pashkelur më parë, që shkencëtarët besojnë se mund të përmbajë rezerva jetike uji të ngrirë.
Pas një përpjekje të dështuar për t’u ulur në Hënë në vitin 2019, India tashmë i është bashkuar Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kinës, si vendi i katërt që realizoi këtë arritje./voa/
Ishte i dënuar me burgim për dhunë në familje dhe dy vepra t...
Granti prej 100 mijë eurosh, LDK dorëzon kallëzim penal ndaj...
Gërvalla deklarohet e pafajshme për mosdeklarim të pasurisë
Kryeministri Kurti apel të rinjve: Ky vend ia vlen fortë të ...
Nis prezantimi i Studimit të Rinisë 2024,nga Fondacioni Frie...
Edi Rama ndan foto nga Unaza Verilindore e Tiranës