Marina e Indisë tha se ka dislokuar tri luftanije dhe një avion vëzhgues në Detin Arabik – që gjendet në veri të Oqeanit Indian – për të “ruajtur praninë parandaluese” pasi së fundi ka pasur një serie të sulmeve ndaj anijeve.
Tri luftanije, si dhe avioni vëzhgues i llojit P8I, janë dislokuar “pas sulmeve të fundit në Detin Arabik”, u tha në deklaratën e marinës.
Uashingtoni ka akuzuar Teheranin se ka kryer një sulm me dron të shtunën ndaj cisternës Chem Pluto, 370 kilometra larg nga brigjet e Indisë, akuza që janë hedhur poshtë nga Ministria e Jashtme e Iranit.
Kjo ishte hera e parë që Uashingtoni haptazi akuzoi Iranin se po sulmon anije, që kur ka nisur lufta mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja – grupit radikal që mbështetet nga Teherani.
Anija që u sulmua, e që ishte në pronësi japoneze, të hënën u ankorua në portin indian të Mumbait.
“Analizat nga zona ku ndodhi sulmi dhe mbetjet që u gjetën në anije tregojnë se sulmi u krye me dron”, tha marina e Indisë, duke shtuar se do të duhet të kryhen edhe analiza të tjera.
Gjetkë, në Detin e Kuq, rebelët jemenas Huthi, që mbështeten nga Irani, po ashtu kanë kryer një sërë sulmesh me dronë dhe raketa në solidaritet me palestinezët në Gazë, ku Izraeli po lufton me radikalët e Hamasit.
Rebelët Huthi kanë detyruar kompani të mëdha të transportit detar që të ndryshojnë rrugët e tyre të tregtisë për shkak të sulmeve.
Nju Deli po ashtu ka rritur përpjekjet për të luftuar sulmet e piratëve në Gjirin e Adeni, pasi piratët somalezë morën anijen MV Ruen muajin e kaluar.
India tha po ashtu se një anije në pronësi bullgare ishte marrë nën kontroll nga piratët somalezë më 16 dhjetor, teksa po lundronte afër ishullit jemenas të Sokotratit./rel/
Buffon: Neymar ka merituar t’i fitojë pesë Topa të Artë
“Nuk duhet me vendos lojën para teje!”, Xuxi dhe Rovena kësh...
Oda Amerikane mirëpret kthimin për rishqyrtim të Ligjit për ...
Borrell: Kërcënimet bërthamore të Rusisë janë të papërgjegjs...
Osmani: Të mbijetuarat e dhunës seksuale mishërojnë qëndrues...
”Ne e urrejmë atë”/ Reagojnë ashpër familjarët e Arionit pas...