Autoritetet e Indisë kanë përforcuar masat e sigurisë në shtetin Uttar Pradesh në prag të përvjetorit të 26-të të rrënimit të xhamisë së shekullit të 16-të, Babri Masxhid.
Një zyrtar i lartë në qeverinë e Uttar Pradeshit tha për Anadolu Agency (AA) se janë bërë rregullime të mjaftueshme të sigurisë dhe se siguria është vendosur në të gjitha vendet sensitive për të parandaluar incidente të pafavorshme në qytetin verior Ayodhya.
“Jemi duke vëzhguar nga afër vendet sensitive. Për më tepër, është angazhuar personel shtesë i sigurisë”, tha zyrtari në fjalë, i cili foli në kushte anonimiteti.
Këtë herë, thonë zyrtarët, janë duke u zbatuar më shumë masa, duke pasur parasysh tensionet e reja në qytet që nga 25 nëntori, kur mijëra nacionalistë hindusë zbritën në Ayodhya për të kërkuar ndërtimin e një tempulli në vendin ku dikur qëndronte xhamia historike Babri.
Kohët e fundit janë ringjallur përpjekjet nga hindusët në Indi për të promovuar ndërtimin e një tempulli në Ayodhya.
Më 6 dhjetor të vitit 1992, hindusët u mblodhën në vendin e kontestuar dhe shkatërruan xhaminë e shekullit të 16-të të emëruar sipas perandorit mogul Babur. Shkatërrimi nxiti trazira mbarëkombëtare që shkaktoi vdekjen e rreth dy mijë personave. Muslimanët kanë kërkuar një xhami të re në këtë vend. Hindusët pohojnë se ky ka qenë vendi ku ka lindur zoti i tyre Rama, duke kërkuar që aty të ndërtohet një tempull. Gjykata e Lartë indiane do të nisë procesin gjyqësor në lidhjme me rastin në muajin janar.
– Padurimi dhe vota nacionaliste
Megjithatë, liderët djathtistë hindusë thonë se ka ardhur koha kur qeveritë duhet të ndërtojnë tempullin.
“Nuk mund të presim kaq gjatë. Jemi duke kërkuar sjelljen e një urdhërese nga Parlamenti në mënyrë që tempulli të mund të ndërtohet së shpejti”, tha për AA Vinod Bansal, zëdhënës kombëtar i së djathtës Vishwa Hindu Parishad (VHP).
Ai tha se shenjtorët dhe liderët e VHP-së do të takohen më 9 dhjetor në New Delhi, për të kërkuar përsëri që qeveria të sjellë një masë për të ndërtuar tempullin.
Agjencia e lajmeve Press Trust of India (PTI) citoi Sharad Sharma-n, një tjetër zëdhënës i VHP-së, të ketë thënë se VHP dhe grupet e ndryshme hinduse në Ayodhya kanë gjasa të organizojnë “një numër programesh fetare, duke përfshirë ritin fetar Hawan, në mënyrë që të ndërtohet një tempull i madh i zotit Ram”.
Nga ana tjetër, liderët muslimanë thonë se vetëm gjykata e lartë do ta zgjidhë çështjen.
“Është detyrë e të gjithëve të presin vendimin përfundimtar të Gjykatës së Lartë. Çështja është nën gjyq. Çdo përpjekje për të ndërtuar tempullin në të vërtetë do të përbënte përbuzje ndaj gjykatës dhe fyerje ndaj institucionit tonë gjyqësor”, tha për AA Tasleem Rahmani, kreu i Këshillit Politik Musliman me bazë në New Delhi.
Zafaryab Jilani, avokat i lartë në Gjykatën e Lartë dhe organizator i Komitetit të Veprimit për Xhaminë Babri Masjid (BMAC), tha për AA se gjykimi i Gjykatës së Lartë të Indisë është zgjidhja e vetme e mosmarrëveshjes dhe se përpjekjet e reja nga disa parti hinduse kanë për qëllim “polarizimin e votave hinduse” para zgjedhjeve të përgjithshme që do të mbahen në pranverë të vitit 2019.
Udhëheqësit e partisë në pushtet, Bhartiya Janta (BJP), thonë se do të presin deri në janar, kur çështja të ngrihet në Gjykatën e Lartë.
“Sa i përket BJP-së, ne e kemi bërë të qartë në manifest dhe është e njohur për të gjithë se një tempull i madh do të ndërtohet…megjithatë, situata aktuale sugjeron se rasti është në pritje në Gjykatën e Lartë dhe ne duhet të presim janarin”, tha Syed Zafar Islam, një zëdhënës i BJP-së.
Zelensky: Pres propozimet e Trump për t’i dhënë fund luftës
Mungesa e sinjalizimit paraqet rrezikshmëri të lartë në traf...
Ana i dërgon një dhuratë Kevinit, reagimi i tij do ju befaso...
Lituania do të financojë prodhimin e dronëve ukrainas me rre...
Plagosja me thikë e 32-vjeçarit në Durrës, shkak dyshohet ko...
Parandalohet një rast i kundërvajtjes doganore