Investimet në aksione konsiderohen si një bast për të ardhmen. E ky bast, sipas mendimit të shumë investuesve, ka perspektivë – indeksi gjerman i aksioneve Dax arriti rekord të ri.
Indeksi gjerman i aksioneve, Dax, shënoi (28.12) një rekord të ri duke arritur në deri në 13.818 pikë. Në shkurt pandemia e koronavirusit krijoi panik në bursë: atëherë 13.795 pikët e arritura brenda pak javësh ranë me 40 përqind. Vetëm ndërhyrjet masive me mbështetje financiare nga bankat e rezervave dhe qeveritë për ekonominë e prekur prej masave izoluese sollën kthesën. Me fundin e masave izoluese në shumë rajone ekonomia nisi të rimëkëmbet. Si lokomotivë konsiderohet në radhë të parë ripërtëritja në Kinë, vendi ku u shfaq për herë të parë virusi.
Lajmet për vaksinën u japin impulse kurseve në bursë
Analistët e Deutsche Bank shohin arsye për optimizëm. Lajmet për vaksinën javën e kaluar janë një fitore e pashembullt e shkencës. Kjo do të bëjë që të ketë një normalizim më të shpejtë të jetës së përditshme, ndryshe nga sa mendohej në fillim të pandemisë, deklaruan së fundi strategët e tregut të valutës Robin Winkler dhe George Saravelos. Ata parashikojnë, që një pjesë veçanërisht e rrezikuar e popullsisë në vendet e industrializuara deri në pranverë dhe e gjithë popullsia deri në mes të vitit 2021 do të mund të jenë imunizuar. Deri në normalizimin e jetës së përditshme dhe të jetës ekonomike investitorët i kanë shpresat ende tek ndihmat e mëtejshme të politikës. Fakti që edhe presidenti ende në post i SHBA-së Donald Trump më në fund e nënshkroi paketën koniunkturore rreth 900 miliardë dollarë të miratuar me shumicë nga Kongresi, u dha hov në fillim të javës së fundit të këtij viti tregjeve financiare. E njëjta gjë vlen edhe për paketën tregtare të Brex-it që u vendos mes Britanisë së Madhe dhe BE-së, raporton DW.
Ekspertët këshillojnë për maturi
Por ka edhe zëra paralajmërues. As në javën e Krishtlindjeve situata e pandemisë në Gjermani nuk u qetësua, konstatojnë ekspertët e Commerzbank. Rënia e numrit të infeksioneve të reja ka të bëjë vetëm me pakësimin e testimeve. Numri i pacientëve nëpër spitalet gjermane, që po trajtohen me mjekësi intensive është rritur ndërkaq.
Po ashtu ekspertët këshillojnë për maturi sa i përket rritjes së vlerës së Dax-it në rekord të ri. Sipas tregtarëve të bursës ky impuls tani mund të jetë i çastit, dhe qendrueshmëria e këtij zhvillimi mbetet të shihet përgjatë vitit të ardhshëm.
Në një fesitval golash, Liverpooli triumfon derbin në udhëti...
Deri në dy orë pritjet në Jarinje për të hyrë në Kosovë
Bora regjistron fitoren e tretë në elitë, mposhtë Prizrenin
Maresca arsyeton barazimin ndaj Evertonit
Protestë masive në Beograd kundër Vuçiqit dhe qeverisë së ti...
Salah thyen një tjetër rekord në Premier League