Imuniteti ndaj coronavirusit në Suedi mund të jetë më i madh sesa që është menduar

09:25 | 1 Korrik 2020
A. B.

Një studim i ri i realizuar nga Instituti suedez Karolinska dhe Spitali Universitar Karolinska, ka treguar se shumë njerëz me simptoma të lehta dhe ata që janë asimptomatikë, kanë imunitetit të ndërmjetësuar nga qelizat T.

Kjo edhe është arsyeja se pse studiuesit kanë arsye të besojnë se imuniteti njerëzor është më i lartë, sesa që tregojnë testet e antitrupave.

“Qelizat T janë një lloj qelize e bardhë e gjakut që është e specializuar në njohjen e qelizave të infektuara nga virusi, dhe janë thelbësore për sistemin imunitar. Analizat e avancuara kanë lejuar hartimin e përgjigjeve të qelizave T gjatë dhe pas infeksionit me COVID-19. Rezultatet tona kanë treguar se dy herë më shumë njerëz kanë zhvilluar imunitetin e qelizave T, krahasuar me ata tek të cilët mund të zbulohen antitrupat”, ka deklaruar Marcus Buger, profesor në Qendrën për Mjekësi Infektive në Institutin Karolinska dhe njëherit njëri nga autorët kryesorë të studimit.

Në këtë studim, hulumtuesit kanë kryer analizat imunare të mostrave të më shumë se 200 personave, shumica prej të cilëve kishin simptoma të buta të coronavirusit ose aspak. Në studim janë përfshirë pacientë nga Spitali Universitar Karolinska dhe pacientë të tjerë dhe anëtarë të familjeve që kanë rezultuar të jenë asimptomatikë. Në studim janë përfshirë edhe persona të shëndetshëm që kanë dhuruar gjak gjatë periudhës 2019-2020.

“Rezultatet tona tregojnë se imuniteti ndaj COVID-19 është ndoshta më i lartë sesa që kanë treguar testet e antitrupave. Është një lajm shumë mirë nga perspektiva e shëndetit publik”, ka deklaruar profesori Hans-Gustaf Lungren nga Qendra për Mjekësi Infektive.

Analizat e qelizave T janë më komplekse për tu realizuar sesa testet e antitrupave, kështu që aktualisht kryhen vetëm nëpër laboratorë të specializuar siç është Qendra për Mjekësisë Infektive në Karolinska. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme