ICAN, Nobeli për paqen: Lufta bërthamore në prag

22:38 | 10 Dhjetor 2017
Trina Galanxhi

Kreu i ICAN, Fushata Ndërkombëtare për Ndalimin e Armëve Bërthamore, fituesja e çmimit Nobel për Paqen për vitin 2017, ngriti alarmin për situatën në Korenë e Veriut.

Beatrice Fihn, drejtoresha e përgjithshme e organizatës që u vlerësua me Nobelin, tha se situata është tejet e rrezikshme dhe shumë njerëz nuk ndihen të sigurt.

Sipas saj, njerëzit janë të shqetësuar për armët bërthamore që kanë Donald Trump, apo lideri koreano-verior Kim Jong Un, sepse jo gjithnjë masat frenuese funksionojnë dhe se vdekja e miliona njerëzve është një veprim larg.

“Liderët e SHBA dhe Koresë së Veriut janë thjesht njerëz që kanë fuqinë për t’i dhënë fund botës dhe askush nuk duhet ta ketë këtë fuqi. Rrezikojmë një krizë bërthamore nga egot e lënduara”, deklaroi Fihn.

ICAN, është një koalicion prej qindra OJQ-sh që hartuan një traktat për ndalimin e armëve bërthamore, të adoptuar në Korrik nga 122 vende. Por traktati u dobësua mjaft nga mungesa e 9 fuqive bërthamore mes firmëtarëve.

Madje, si për të treguar injorimin ndaj ICAN dhe Traktatit, 3 fuqi bërthamore perëndimore, pikërisht SHBA, Franca dhe Britania, u përfaqësuan me diplomatë të rangut të dytë në ceremoninë e Nobelit dhe jo nga ambasadorët e tyre në Oslo./tch/

Të ngjashme