Një armëpushim midis Izraelit dhe grupit militant Hezbollah me seli në Liban hyri në fuqi të mërkurën herët në mëngjes, duke çuar në ndalimin e luftimeve që udhëheqësit amerikanë dhe francezë thanë se mund të hapin rrugën për një armëpushim edhe në Rripin e Gazës.
Ndërsa armëpushimi hyri në fuqi, një valë makinash po shkonin drejt Libanit jugor, ku disa muaj luftimesh të ngjeshura dhe urdhrat izraelitë për evakuim i detyruan banorët të largoheshin nga shtëpitë e tyre.
Ushtria izraelite paralajmëroi banorët të qëndrojnë larg fshatrave në të cilat kishte urdhëruar më parë evakuime.
Shtetet e Bashkuara, së bashku me Francën, luajtën një rol thelbësor në ndërmjetësimin e zgjidhjes, të cilën Kabineti i Sigurisë i Izraelit e miratoi të martën vonë.
Presidenti amerikan Joe Biden e quajti armëpushimin “një hap kritik … për t’i dhënë fund dhunës” në Lindjen e Mesme. Ai tha se Irani dhe përfaqësuesit e tij, Hezbollahu në Liban dhe militantët e Hamasit në Gaza, “kanë paguar një çmim të rëndë” në më shumë se një vit luftime ndaj forcave izraelite.
Ai tha se marrëveshja “është hartuar për të siguruar një ndërprerje të përhershme të armiqësive”.
Por, Presidenti Biden paralajmëroi që “nëse Hezbollahu ose dikush tjetër thyen marrëveshjen dhe përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për Izraelin, atëherë Izraeli ruan të drejtën për vetëmbrojtje në përputhje me ligjin ndërkombëtar, ashtu si çdo vend, në përballjen me një grup terrorist që synon shkatërrimin e atij vendi”.
Udhëheqësi në largim i SHBA-së, me më pak se dy muaj të mbetur në mandatin e tij katërvjeçar, tha se tani kur Hezbollahu ka rënë dakord për t’i dhënë fund sulmeve të tij ndaj Izraelit, “Hamasi ka një zgjedhje për të bërë. E vetmja rrugëdalje e tyre është lirimi i pengjeve (që po mban në Gaza), përfshirë qytetarët amerikanë”.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se ai mbështet një armëpushim me Hezbollahun, në mënyrë që Izraeli të përqendrojë vëmendjen e tij në kërcënimin më të gjerë që paraqet Irani, të rifreskojë forcat e tij dhe të izolojë Hamasin në luftën e tij të vazhdueshme kundër Izraelit në Gaza.
Kryeministri Netanyahu u zotua se nëse Hezbollahu ripërtërinë sulmet e tij ndaj Izraelit ose riarmatoset, Izraeli do të rifillojë menjëherë bombardimet ndaj militantëve në Liban.
Netanyahu, mbështetje për marrëveshjen e armëpushimit me Hezbollahun
Lëvizja e kryeministrit Netanyahu drejt përfundimit të luftimeve gati 14 muajshe me Hezbollahun, pasoi një ditë sulmesh izraelite ndaj objektivave militantë në Liban.
Sulmi izraelit kishte në shënjestër 20 ndërtesa për të cilat ushtria tha se ishin fortesa të Hezbollahut, duke paralajmëruar banorët civilë që jetonin atje të largoheshin dhe të mbanin një distancë prej të paktën 500 metrash. Ky ishte numri më i madh i ndërtesave të shënjestruara në një ditë të vetme.
Sulmet dukej se ishin një përpjekje e fundit e Izraelit për të siguruar përparësi në luftën e tij me Hezbollahun. Militantët filluan të sulmojnë Izraelin në tetor të vitit 2023 në mbështetje të militantëve të Hamasit, që luftojnë me Izraelin në Gaza.
Marrëveshja e armëpushimit, e ndërmjetësuar nga diplomatët amerikanë dhe francezë, përfshin një ndërprerje luftimesh dhe një periudhë 60-ditore gjatë së cilës Izraeli dhe Hezbollahu do të tërhiqen nga Libani jugor.
Sipas marrëveshjes, forcat izraelite janë të detyruara të tërhiqen në jug të kufirit Liban-Izrael, ndërsa Hezbollahu të lëvizë në veri të lumit Litani. Plani kërkon që ushtria libaneze, e cila nuk është e përfshirë në luftimet Izrael-Hezbollah, të patrullojë rajonin midis dy palëve ndërluftuese.
Luftimet në Liban kanë shkaktuar një krizë humanitare, duke zhvendosur qindra mijëra njerëz.
Të hënën, Programi Botëror i Ushqimit i Kombeve të Bashkuara njoftoi se ka ofruar ndihmë urgjente për më shumë se gjysmë milioni njerëz në Liban që nga fillimi i konfliktit.
Në sulmin e tetorit 2023 ndaj Izraelit që shkaktoi luftën në Lindjen e Mesme, militantët e Hamasit vranë 1200 njerëz dhe kapën rreth 250 pengje. Izraeli thotë se beson që Hamasi po mban ende 101 pengje, duke përfshirë 35 që ushtria thotë se janë të vdekur.
Kundërsulmi i Izraelit në Gaza ka vrarë më shumë se 44,235 palestinezë, sipas ministrisë së Shëndetësisë të territorit, e cila nuk bën dallim midis luftëtarëve dhe civilëve në numërimin e saj. Ushtria izraelite thotë se numri i të vdekurve përfshin mijëra luftëtarë të Hamasit, ndërsa ministria e Shëndetësisë thotë se më shumë se gjysma janë gra dhe fëmijë.
Hamasi dhe Hezbollahu janë cilësuar si grupe terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe vende të tjera perëndimore./voa/
Moti sot i vranët dhe me diell
Gazetari Vullnet Krasniqi, e pranon në Big Brother VIP Kosov...
Të shtëna në Bulqizë, atentat ndaj një personi që po dilte n...
Arsenali po synon shkëmbimin e lojtarëve me Milanin për ta m...
Zelensky: Ushtarët e Koresë së Veriut po dërgohen në betejë ...
Gjendet pa shenja jete një 27 vjeçare në Zhur të Prizrenit