Hunter Biden frekuentonte shpesh ngjarjet politike dhe mitingjet e të atit. Por kur ish nënpresident Joe Biden filloi zyrtarisht fushatën e tij për kandidat president të partisë demokrate në maj në Filadelfia, Hunter Biden nuk ishte aty.
Vendimi i tij për të qëndruar larg vëmendjes erdhi në mesin e një vale shkrimesh të turpshme për jetën e tij të trazuar personale, alkoolin dhe varësinë nga droga, dhe vendimet e debatueshme të biznesit. Megjithatë, përpjekjet e tij për të ulur profilin e tij për të ndihmuar babanë e tij në përpjekjen e tij të tretë dhe me sa duket përfundimtare për presidencë, rezultuan të pasuksesshme.
Për muaj të tërë, Presidenti Donald Trump ka kërkuar të minojë kandidaturën e përparuar të Joe Biden-it për të fituar emërimin e partisë demokrate duke sugjeruar praktika të pabaza korruptive të bëra nga Joe dhe Hunter Biden.
Me Dhomën e Përfaqësuesve që po kryen tani një hetim për të nisur procedurat për shkarkimin e presidentit lidhur me përpjekjet e Trumpit për të inkurajuar ndërhyrjen e Ukrainës në zgjedhjet amerikane në vitin 2020, presidenti i përgatitur për betejë po i bën thirrje hapur Ukrainës dhe Kinës që të hetojnë Joe dhe Hunter Biden për akuza të kundërshtuara prej kohësh ose për të cilat mungojnë prova.
Thirrje për hetim
Thirrjet e guximshme të Trump për hetime janë një përpjekje e hollë e maskuar për të larguar vëmendjen armiqësore ndaj tij, dhe nuk ka të ngjarë të ngadalësojnë hetimin e demokratëve të Dhomës së Përfaqësuesve, që mund të përfundojë para fundit të vitit. Por edhe disa nga kritikët e presidentit Trump e pranojnë se ka më shumë se një zhurmë të papërshtatshme për shfrytëzimin e emrit të familjes nga Hunter Biden për të kapur pozicione shumë fitimprurëse, ndërsa babai i tij shërbeu në Senat dhe më vonë si nënpresident.
Këto përfshijnë pozicione me një firmë private investimesh, partnerët e së cilës përfshinin subjektet kineze, menjëherë pasi ai vizitoi Kinën me babanë e tij në vitin 2013 dhe një pozitë në kompaninë më të madhe ukrainase të gazit natyror që filloi në prill 2014 ndërsa Joe Biden ishte njeriu i administratës Obama në Ukrainë.
“Realiteti është se emri të hap derën dhe ti po e përdor emrin e famshëm si një klient privat,” thotë Meredith McGehee, drejtoreshë ekzekutive e organizatës Issue One, në Uashington.
Hunter Biden, 49 vjeç, ndoqi atë rrugë për karrierën e tij.
Më i riu nga dy djemtë e Joe Biden, Hunter Biden lindi në vitin 1970, kur babai i tij, asokohe avokat, shërbente në Këshillin Bashkiak në New Castle të shtetit Delaware. Kur Hunter ishte 2 vjeç, ai mbijetoi në një aksident automobilistik që vrau nënën dhe motrën e tij dhe la Hunterin dhe vëllain e tij të madh, Beau Biden, të plagosur keq.
“Kujtimi im i parë,” tha Hunter në funeralin e vëllait të tij Beau në vitin 2015, https://www.youtube.com/watch?v=CjUgXILBHxM “është kur ishim në spital në krah të njëri tjetrit. Isha gati 3 vjeç. E mbaj mend vëllanë tim, i cili ishte një vit e një ditë më i madh se mua, që më mbante dorën, në shikonte në sy dhe më tha, të dua, të dua, të dua. Dhe e përsëriti këtë disa herë.”
Joe Biden, i cili sapo ishte zgjedhur në Senat, mbajti ceremoninë e tij të betimit në një spital të Wilmingtonit ndërsa dy djemtë e tij të plagosur ishin në shtrat dhe shihnin babanë e tyre. https://www.huffpost.com/entry/joe-biden-swearing-in-photo_n_7477592
Droga, alkooli
Ashtu siç ka treguar për revistën New Yorker në disa intervista Hunter Biden, https://www.newyorker.com/magazine/2019/07/08/will-hunter-biden-jeopardize-his-fathers-campaign filloi të pinte në shkollë të mesme, dhe pastaj përdori drogë në kolegj, vese që rënduan në jetën e tij ndërsa u përpoq për gati një dekadë të largohej prej tyre.
Hunter Biden u martua i ri, vetëm një vit pas kolegjit në vitin 1993. Martesa e tij 24-vjeçare përfundoi në një divors të hidhur në vitin 2017, duke dhënë material për revistat rozë rreth një jete me “drogë, alkool, prostitute dhe klube striptizmi”. https://pagesix.com/2017/03/02/ex-claims-hunter-biden-blew-money-on-hookers-drugs/
Përgjatë karrierës së tij – si avokat, bankier dhe konsulent — Hunter është akuzuar se ka përdorur emrin e babait të tij.
Megjithëse nuk ka dalë asnjë provë për shkelje, kritikët kanë shtruar pyetje në lidhje me disa pozicione që nuk do të ishin të disponueshme për një person me më pak famë:
* Në 1998, Hunter Biden mori një vend pune si drejtor i politikës së tregtisë në Departamentin e Transportit pasi Sekretari i atëhershëm i Tregtisë William Daley, i cili kishte shërbyer në fushatën presidenciale të Bidenit në 1987, ndërhyri në emër të tij. https://www.newyorker.com/magazine/2019/07/08/will-hunter-biden-jeopardize-his-fathers-campaign
* Në vitin 2000, Hunter Biden u bashkua me një grup të ri lobimi në Uashington të themeluar nga një ish-vullnetar i fushatës presidenciale të Bidenit, i specializuar në përfaqësimin e universiteteve dhe spitaleve që kërkojnë fonde.
* Në vitin 2008, banka më e madhe e Delauerit punësoi Hunter Bidenin, një veprim që Joe Biden i ka dalë në mbrojtje.
* Në vitin 2013 dhe 2014, ndërsa Joe Biden ishte nënpresident, Hunter Biden hyri në marrëveshje biznesi që kanë shkaktuar sulmet e fundit mbi të dhe të jatin.
Në vitin 2013, Hunter Biden u bashkua me bordin e BHR Partners, një fond privat investimesh krijuar nga bankieri kinez i investimeve Jonathan Li dhe të tjerë për të investuar fonde kineze në kompani jashtë Kinës.
Kur nënpresidenti Biden udhëtoi në Kinë më vonë atë vit, Hunter Biden e shoqëroi atë në Air Force Two, duke u takuar me Li dhe partnerin e tij dhe duke bërë të mundur që zoti Li të shtrëngonte duart me babanë e tij.
Incidenti nuk bëri lajm në atë kohë, por qysh atëherë ka ngjallur akuza të pa vërtetuara nga presidenti Trump dhe të tjerë se Hunter Biden e përdori udhëtimin për të mbledhur 1.5 miliardë dollarë fonde, një teori konspirative që doli së pari nga shkrimtari konservator Peter Schweizer.
Interesat e biznesit me Kinën
Avokati i Hunter Biden-it, George Mesires, nuk iu përgjigj pyetjes për interesat e biznesit me Kinën, por ai është shprehur më parë se Hunter nuk paguhej për rolin e anëtarit të bordit, nuk bëri ndonjë biznes gjatë udhëtimit dhe nuk përfitoi nga kompania deri kur babai i tij u largua nga posti në vitin 2017.
Por në prill 2014, vetëm dy muaj pas protestave që larguan nga pushteti Presidentin prorus të Ukrainës, Viktor Yanukovych, pas sugjerimit të një partneri Hunter Biden u bë anëtar bordi i Burismas, një kompani gazi natyror të themeluar nga Mykola Zlochevsky, aleat i Yanukovych-it. Një tjetër anëtar bordi i profilit të lartë ishte ish-Presidenti polak Aleksander Kwasniewski.
Në atë kohë, Nënpresidenti Biden drejtonte përpjekjet e administratës Obama për të forcuar qeverinë e re të Kievit. Me nxitjen e administratës Obama, qeveria e re po hetonte nëse Zlochevsky pati shfrytëzuar postin për të përfituar financiarisht kompania Burisma.
Emërimi i Hunter Biden-it, një person pa eksperiencë në Ukrainë apo në energjitikë, në bordin e Burismas ngjalli pikëpyetje mes aktivistëve të të drejtave të njeriut.
“Ishim vërtet të irrituar që shikonim emra të tilë dhe nuk ishte vetëm Hunter Biden”, tha Daria Kaleniuk, drejtore ekzekutive e Qendrës së Veprimit Antikorrupsion në Kiev. Së bashku me aktivistë të tjerë, ajo u takua me Joe Biden-in gjatë vizitës së tij në Ukrainë në mars 2014.
Ngjarjet në vazhdim janë në epiqendër të akuzave të pabazuara se Joe Biden shfrytëzoi postin e tij për të mbrojtur interesat e biznesit të djalit të tij në Ukrainë.
Në dhjetor 2015, Nënpresidenti Biden udhëtoi drejt Ukrainës ku i dha një ultimatum Presidentit Petro Poroshenko për të shkarkuar kryeprokurorin e atëhershëm Viktor Shokin. Në të kundërtën, do të humbeshin 1 miliardë fonde ndihmash amerikane.
Dy muaj më vonë, zoti Shokin dha dorëheqjen pas presionit nga parlamenti i Ukrainës.
“Epo më në fund u shkarkua”, tha Joe Biden ndërsa iu kujtua ngjarja gjatë një aktiviteti në Këshillin e Marrëdhënieve me Jashtë në vitin 2018.
Largimi nga kompania Burisma
Hunter Biden vazhdoi si anëtar bordi, funksion për të cilin u njoftua se paguhej 50 mijë dollarë në muaj. Por, ndërsa Joe Biden përgatitej të shpallte kandidaturën në muajin prill, Hunter Biden u largua pa zhurmë nga kompania Burisma.
Disa javë më vonë, ish-kryeprokurori i hatërmbetur Shokin, pretendoi se Joe Biden mundësoi shkarkimin e tij pasi po hetonte kompaninë Burisma dhe Hunter Biden-in. Ky pretendim ka krijuar akuzat për korrupsion ndaj Biden-ëve.
Nuk ka dalë ndonjë provë në mbështetje të pretendimit të zotit Shokin. Në të kundërtën, aktivistët antikorrupsion të Ukrainës thonë se për largimin e tij ishte bërë thirrje, dhe u mirëprit, nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar.
“Ai u shkarkua pasi ishte i korruptuar dhe joefikas”, tha zonja Kaleniuk. “Shokin ishte absolutisht i paaftë”.
Zëvendësi i zotit Shokin, Vitaly Kasko, i tha më vonë rrjetit Bloomberg News se Shokin e pati mbyllur hetimin ndaj Burismas kohë përpara shkarkimit të tij. Një tjetër kryeprokuror, Yuriy Lutsenko, tha se nuk pati ndonjë evidencë që Hunter Biden të ketë shkelur ndonjë ligj.
Por, kjo nuk e ndaloi Presidentin Trump që ta shtynte Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, gjatë një bisede telefonike me 25 korrik, për të hetuar kompaninë Burisma dhe Biden-ët, si një përpjekje për të zbuluar të dhëna dëmtuese politike për rivalin e tij kryesor demokrat. Kjo kërkesë çoi në fillimin e hetimeve të Dhomës së Përfaqësuesve për të hetuar me qëllim shkarkimin e Presidentit Trump./voa/
Arsenali po synon shkëmbimin e lojtarëve me Milanin për ta m...
Zelensky: Ushtarët e Koresë së Veriut po dërgohen në betejë ...
Gjendet pa shenja jete një 27 vjeçare në Zhur të Prizrenit
Vëllai i Madh me ofertë për Laurentin dhe Fitimin, njërin do...
Sa mjaltë në ditë mjafton për imunitet të mirë?
Shenjat e horoskopit që e shijojnë beqarinë