Qeveria hungareze përdor krizën e coronavirusit për të profilizuar veten si fuqi rajonale me ndikim dhe është aktive në eksportimin e konceptit të “demokracisë joliberale” në rajon.
Përpara Hungari” shkruhet krahas shenjave kineze në etiketat e paketave të mëdha mbushur me maska mbrojtëse dhe dezinfektues. Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Péter Szíjártó, pozon përpara tyre për publikun vendas. Kinezët na sollën “më shumë se 80 milionë maska mbrojtëse”, thotë Péter Szíjártó këtë javë. Një pjesë të ndihmave mjekësore nga Lindja e Largët Hungaria po i shpërndan në rajon: në Shqipëri, Serbi dhe Bosnjë, por edhe tek pakicat hungareze në vendet fqinje.
“Çdo hungarez është përgjegjës për çdo hungarez,” thotë politikani në kanalin e tij në Facebook. Prandaj Hungaria do të ndihmojë afërsisht dy milionë hungarezët jashtë vendit, “që sikurse na kanë thënë për fat të keq shërbimi shëndetësor në vendet ku jetojnë është shumë i dobët”, shton Péter Szíjártó .
Përpjekje për ndikim në Ballkanin Perëndimor
Në faqen e tij në Facebook shihet se si ministri i Jashtëm i Hungarisë, Péter Szíjártó, po i shpërndan vetë ndihmat në vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas politologut Zoltán Kisszelly këto gjeste janë investime afatgjata, sepse Hungaria do të profilizohet si fuqi rajonale.
Po ashtu hungarezët e shesin si fitore “të tyren” edhe faktin që bisedimet e pranimit në BE me Shqipërinë më në fund nisën të ecin përpara. Ministri i Jashtëm Szíjártó thotë se është i kënaqur që “një komisioner hungarez arriti brenda disa muajsh atë që Këshilli i Evropës nuk e arriti në njëmbëdhjetë vjet”. Ish-diplomati hungarez Oliver Várhelyi, një i besuar i Orbánit, është përgjegjës për zgjerimin e BE-së.
“Fidesz-i dëshiron të rrisë numrin e aleatëve brenda BE-së”, thotë Tamás Bodoky, themeluesi i portalit investigativ hungarez Átlátszó.hu. Me Slloveninë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, që priten të anëtarësohen, mund të krijohet një grup i zgjeruar i Vishegradit.
Eksport ideologjie përmes blerjes së mediave
Media e afërt me qeverinë në Hungari janë “të ideologjizuara, të njëanshme dhe antidemokratike”, thotë gazetari Tamás Bodoky për DW. Këtë model poltikanët në pushtet duan ta eksportojnë dhe “në të njëjtën kohë duan të mbështesin partitë mike me partinë Fidesz dhe të përhapin ideologjinë e Fideszit”, thotë Bodoky, “modeli joliberal”. Kjo është arsyeja pse menaxherët e mediave hungareze investuan kryesisht në media që mbështesin miqtë e Orbánit – siç është kryeministri slloven Janez Jansa dhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski.
Të dy kanë janë dënuar për korrupsion në vendet e tyre. Gruevski i shpëtoi burgimit falë një operacioni sekret për të cilin ndihmuan edhe diplomatë hungarezë. Sot Gruevski jeton në Budapest nën mbrojtjen e qeverisë hungareze.
“Politika jonë e Ballkanit Perëndimor u shërben kryesisht interesave ekonomike,” beson Dániel Bartha, ekspert në Qendrën për Integrime Euro-Atlantike dhe Demokraci në Budapest (CEID). Në plan afatgjatë bëhet fjalë për energji, mundësi investimi për firmat hungareze, rrugë tregtare dhe projekte transporti siç është linja hekurudhore midis Beogradit dhe Budapestit – një projekt i kinezëve. Por Hungaria po vepron në favor të evropianëve: “Gjëja kryesore është që këto vende të bëhen anëtare të BE-së dhe të mos bien nën ndikimin e vendeve të tjera”, d.m.th Rusia, Kina, Turqia apo vendet arabe.
Rrjet i ri i djathtë?
Kush investon në median ballkanike? Sipas një hulumtimi ndërkombëtar të gazetarëve investigativë në sy bien veçanërisht tre emra: Dy ish-menaxherë të televizionit shtetëror hungarez – Péter Schatz dhe Ágnes Adamik. Ata kanë blerë aksione në më shumë se një duzinë gazetash, portalesh online dhe kanalesh televizive në Maqedoninë e Veriut dhe Slloveni.
Gjithashtu blerje kanë bërë dhe mjaft firma të lidhura me Arpád Habony, i cili tani drejton agjencinë e mediave H4NA në Londër, e cila sipas informacioneve të veta dëshiron të ofrojë një “perspektivë konservatore, të djathtë për çështje kryesore”. Por sipas britanikes Guardian ekipi prej 50 gazetarësh tregon mbi të gjitha histori për “rreziqet e migrimit”.
Edhe ish-këshilltari i Trumpit, Steve Bannon ka qenë disa herë në Budapest dhe njoftoi në vitin 2018 krijimin e “Dhomave të Luftës” në Evropë. Bannon themeloi platformën Alt-Right Breitbart. Dhe sipas kulturologes Magdalena Marsovszky në media po krijohet një rrjet i ri i djathtë. /DW/
Bora regjistron fitoren e tretë në elitë, mposhtë Prizrenin
Maresca arsyeton barazimin ndaj Evertonit
Protestë masive në Beograd kundër Vuçiqit dhe qeverisë së ti...
Salah thyen një tjetër rekord në Premier League
Aeroplani bie në qendër të qytetit Gramado në Brazil, 10 per...
Real Madridi shënon fitore të madhe ndaj Sevillës, ngritët n...