Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, ka akuzuar udhëheqësinë e Ukrainës se ka tentuar të ndërhyjë në zgjedhjet e ardhshme të Hungarisë, akuzë që më vonë është mohuar nga homologu i tij ukrainas.
Në një video të publikuar në mediat sociale, Szijjarto ka pretenduar se ka “koordinim të vazhdueshëm në mes të së majtës hungareze dhe përfaqësuesve të Qeverisë ukrainase”, dhe se Ukraina është duke tentuar të ndikojë në zgjedhjet e 3 prillit në Hungari, në të mirë të koalicionit të partive opozitare.
Szijjarto nuk ka ofruar të dhëna që mbështesin këto pretendime.
Këto deklarata kanë ardhur pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka nisur një mori kritikash ndaj qasjes së Qeverisë së Hungarisë për luftën në Ukrainë.
Hungaria, për dallim nga pjesa më e madhe e aleatëve të Bashkimit Evropian, ka refuzuar që t’i ofrojë Ukrainës armë, apo të mundësojë transferimin e tyre përmes territorit të saj.
Qeveria hungareze ka kundërshtuar vazhdimisht edhe vendosjen e sanksioneve kundër importeve ruse të energjisë, duke thënë se kjo gjë do të dëmtonte thellë ekonominë e saj.
Kjo politikë ka shtyrë Zelenskyn që t’i bëjë thirrje kryeministrit hungarez, Viktor Orban, i cili konsiderohet si aleati më i afërt i Kremlinit në Bashkimin Evropian, që të ketë qasje më të qartë për luftën.
“Dua të ndalem këtu dhe të jem i sinqertë. Ju duhet të vendosni për veten se me kë jeni”, ka thënë Zelensky duke iu referuar Orbanit, në një video-lidhje me liderët e bllokut evropian.
Në zgjedhjet e Hungarisë, Orban synon të fitojë një mandat të katërt në krye të Qeverisë.
Gjatë udhëheqësisë së tij 12-vjeçare, Qeveria e Orbanit ka krijuar lidhje më të forta ekonomike dhe diplomatike me Rusinë, dhe ka thelluar varësinë e Hungarisë ndaj naftës ruse dhe teknologjisë për energji bërthamore./REL/
Kasanof takim me Ramën: Mbështetje Shqipërisë për çështje ky...
Nëntë filma të shfaqur në DokuFest në listë të gjatë për Çmi...
Sinani thotë se autoritetet serbe ia ndaluan ministrit Çeku ...
Për çfarë arsye do ndahej Lela nga Leo?
Polonia regjistron më shumë migrantë në kufi me Bjellorusinë
Sot nis Fest 63 – Për 4 net, 30 artistë në garë