Google ADS

Hong Kong: Covid gjendet në mostrat e paketimeve të mishit të derrit dhe viçit

10:22 | 22 Shkurt 2022
Trina Galanxhi

Autoritetet e Hong Kongut thanë se gjetën Covid 19 në mostrat e marra nga paketimi i importeve të mishit të ngrirë të viçit nga Brazili dhe lëkurës së ngrirë të derrit nga Polonia, duke u zotuar të shtojnë inspektimet e ushqimit të importuar.

Qendra globale financiare vendos një strategji “dinamike zero Covid” të ngjashme me atë të Kinës kontinentale, duke synuar të zhdukë çdo shpërthim të ri të infeksionit, transmeton portal arbresh.info

Autoritetet kanë qenë në gatishmëri të lartë pasi një valë e re infeksionesh po rezulton më e vështirë për t’u kontrolluar.

Numrat e infeksioneve ditore janë rritur ndjeshëm këtë vit, duke arritur një rekord 7,533 raste vetëm gjatë ditës së djeshme.

Qendra për Sigurinë Ushqimore (CFS) mori 36 mostra për testim nga një seri prej rreth 1,100 kutive të mishit të ngrirë të viçit, me peshë totale prej 29 tonësh, të importuara nga Brazili. Autoritetet theksuan se dy mostra nga paketimi i jashtëm rezultuan pozitivë me koronavirus.

Gjithashtu, edhe mishit të importuar nga Polonia i janë bërë testime, ku është gjetur se disa paketime kanë rezultuar me Covid-19, shkruan Reuters.

Hong Kongu ka monitoruar importet e ushqimeve të ngrira për Covid-19 që nga mesi i vitit 2020 dhe ka gjetur mostra pozitive në paketimin e peshkut pomfret në gusht 2021 dhe në paketimin e sepjeve në nëntor 2021.

Autoritetet kanë theksuar se koronavirusi transmetohet kryesisht përmes pikave të pështymës dhe nuk mund të shumohet përmes ushqimit, ose paketimit të ushqimit.

Megjithatë, ata rekomandojnë që njerëzit të trajtojnë ushqimin e papërpunuar veçmas, të respektojnë rregullat e higjienës dhe të gatuajnë ushqimin tërësisht.

Me inspektime të shtuara mbi importet e ushqimeve, Hong Kongu po ndjek përsëri hapat e Kinës kontinentale për politikat e Covid-19. Ndryshe nga vendet e tjera, Kina përmend paketimin e ushqimeve të ngrira si rrezik për përhapjen e Covid-19./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme