Google ADS

Holandë, anketat pas votimeve tregojnë fitoren e populistit Wilders

23:02 | 22 Nëntor 2023
KRG

Populisti holandez i së djathtës ekstreme dhe anti-BE, Geert Wilders, i cili është zotuar ta ndalojë emigrimin në Holandë, pritet të korrë një fitore të madhe në zgjedhjet parlamentare të së mërkurës, tregojnë sondazhet e marra pas votimit.

Partia e Lirisë e zotit Wilders, PVV, duket se ka mposhtur të gjitha parashikimet, sipas sondazheve, duke marrë 35 nga 150 vendet në parlament ose nëntë vende më shumë se koalicioni rival mes laburistëve dhe të majtës. Në vend të tretë me 23 vende renditen konservatorët e kryeministrit në largim Mark Rutte, sipas sondazheve.

Emigracioni, çështja që shkaktoi rënien e kabinetit të fundit të zotit Rutte pas 13 vjetësh në pushtet, ka qenë një çështje kyçe në fushatë.

“Mjaft më. Holanda nuk mund të durojë më. Ne duhet të mendojmë fillimisht për njerëzit tanë tani. Të mbyllet kufiri. Zero azilkërkues”, tha zoti Wilders në një debat televiziv një natë përpara zgjedhjeve.

Zoti Wilders njihet botërisht për politikën e tij të zjarrtë anti-islamike. Ai u dënua për diskriminim nga një gjykatës holandez pasi ofendoi marokenët në një tubim fushate në vitin 2014.

Ka të ngjarë që zoti Wilders të udhëheqë bisedimet të premten për formimin e qeverisë. Ai ka thënë se dëshiron ta udhëheqë vendin, por do të duhet të bashkëpunojë me partitë e tjera për të krijuar një koalicion shumice në parlament. Ky proces zakonisht zgjat me muaj./voa

Të ngjashme