Google ADS

Holanda i premton Ukrainës ndihmë të re ushtarake

20:43 | 12 Prill 2024
KRG

Holanda do t’i ofrojë Ukrainës edhe 1 miliard euro ndihmë ushtarake gjatë këtij viti, njoftoi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, më 12 prill.

Ndihma shtesë e çon shumën totale të ndihmës gjatë këtij viti në 3 miliardë euro, tha kryeministri holandez në detyrë, Mark Rutte, përmes një postimi në X, që më herët njihej si Twitter.

Holanda, që është një prej donatoreve kryesore të ndihmës ushtarake për Ukrainën që kur Rusia nisi pushtimin e shtetit fqinj më 2022, po ashtu ka vendosur që vitin e ardhshëm të japë 3 miliardë euro shtesë ndihmë ushtarake dhe 400 milionë euro ndihmë ekonomike, të destinuara për të riparuar infrastrukturën e energjisë në Ukrainë.

Rutte tha se Holanda do të vazhdojë të punojë me partnerët ndërkombëtarë që të dërgohen sa më shpejt më shumë municione dhe pajisje të mbrojtjes ajrore në Ukrainë, duke shtuar se Amsterdami po punon ngushtë me Danimarkën dhe Republikën Çeke në këtë drejtim.

“Ukraina duhet ta fitojë këtë luftë. Për të mirën e sigurisë së tyre dhe sigurisë sonë”, tha ai.

Rutte tha se ka biseduar përmes telefonit me Zelenskyn për ndihmën e re dhe i ka premtuar se do të punojë në përshpejtimin e furnizimeve me armë dhe municione.

Zelensky, përmes një postimi në Telegram, e ka falënderuar Holandën për mbështetjen e shtetit të tij./REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme