Holanda do të çmontojë urën “De Hef”, pasi superjahti i Jeff Bezos nuk mund të kalojë

20:10 | 3 Shkurt 2022
Përparim Bublaku

Qyteti holandez i Roterdamit po planifikon të çmontojë urën historike, De Hef, për të lejuar kalimin e një superjahti në pronësi të themeluesit të Amazon, Jeff Bezos.

Ura, e njohur edhe si Ura e Koningshavenit, nuk është aq e madhe sa të lejojë varkën të kalojë dhe kështu do të çmontohet, me vetë Bezos që do të paguajë faturën për punën.

“Është rruga e vetme për në det”, tha një zëdhënës i qytetit.

Demontimi pritet të zgjasë disa javë, duke filluar nga kjo verë. Vendimi ka marrë kritika. Disa vendas ishin të zemëruar pasi këshilli kishte premtuar se nuk do ta çmontonte urën pas rinovimeve më 2017.

Ura De Hef u ndërtua më 1878 dhe më pas u rindërtua pasi pësoi dëme të konsiderueshme gjatë Luftës së Dytë Botërore. Planet për prishjen e urës në vitin 1993 u hodhën poshtë pas kundërshtimit të banorëve.

Zyra e kryebashkiakut të Roterdamit mbrojti privilegjet e veçanta që i jepen miliarderit, duke thënë se ndërtimi i megajahtit kishte krijuar vende pune në qytet, raporton DW.

Bezos, një nga njerëzit më të pasur në botë, porositi ndërtimin e jahtit me tre shtylla, i cili arrin lartësinë 40 metra, për një çmim prej 430 milionë euro, në kantierin detar Alblasserdam pranë Roterdamit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme