Holanda arreston terroristen e deportuar nga Turqia

07:16 | 30 Dhjetor 2019
Arbresh.info

Një luftëtare e huaj terroriste me origjinë holandeze e cila u deportua nga Turqia, është arrestuar në Holandë.

Zyra e Prokurorit Publik përmes një kumtese ka njoftuar se terroristja e cila kishte kaluar në Turqi nga Siria, u arrestua në aeroportin Schiphol të Amsterdamit.

Në kumtesë thuhet se gruaja 28-vjeçare ishte me vajzën e saj 4-vjeçare. Ajo shkoi në Siri në vitin 2013 dhe në tetor aplikoi në Ambasadën Hollandeze në Ankara për t’u rikthyer në vendin e saj.

Fëmija u dërgua në institucionin për mbrojtjen e fëmijëve.

Gjatë së shtunës, Ministria e Punëve të Brendshme të Turqisë deportoi dy luftëtarë të huaj terroristë në shtetin e tyre të origjinës, në Holandë.

Kumtesa nuk saktësoi se cilit grup terrorist i përkisnin luftëtarët, por në muajt e fundit është theksuar kthimi i terroristëve të DEASH-it.

Që nga 11 nëntori, Turqia ka deportuar gjithsej 110 luftëtarë të huaj terroristë në shtetet e tyre të origjinës, pasi ministri i Punëve të Brendshme Süleyman Soylu njoftoi se terroristët e kapur të DEASH-it do të ekstradohen.

Çështja e trajtimit të anëtarëve të DEASH-it dhe familjarëve të tyre të arrestuar në Siri, duke përfshirë anëtarët e huaj të grupit terrorist, ka qenë e diskutueshme. Turqia ka argumentuar se terroristët me origjinë të huaj duhet të riatdhesohen në vendet e tyre të origjinës, ndërsa disa vende evropiane nuk kanë pranuar, duke thënë se terroristët janë denacionalizuar.//AA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme