Patriarku ka bërë thirrje për një hetim të ri me ekipe të drejtuara nga Rusia
Nga të gjitha vendet që morën pjesë në Luftën e Parë Botërore, asnjëri nuk pësoi më shumë dëme se sa Rusia. Pakënaqësitë brenda vendit për humbjet gjatë luftës çuan në braktisjen e fronit nga Cari Nikollaj i Dytë i dinastisë së Romanovëve dhe, disa muaj më vonë, në revolucionin bolshevik, që u vulos me ekzekutimin e familjes mbretërore nga autoritetet e reja sovjetike në qytetin malor të Uraleve, Jekaterinburg. Por, siç njofton nga Jekaterinburg Charles Maynes i Zërit të Amerikës, dëshira e rusëve që historia e vrasjes së Romanovëve të zgjidhet një herë e mirë ende mbetet e paplotësuar.
Ashtu si shumica e njerëzve në Jekaterinburg, Leonid Vohmjakovi u rrit duke e ditur se një nga misteret e mëdha dhe kapitujt më të errët të historisë ruse qëndron fshehur në një copë pylli jashtë qytetit.
“E dija se cari dhe familja e tij ishin vrarë. Se ata ishin varrosur diku këtu. Gjithkush e dinte”.
Pyetja ishte, ku? Pas përmbysjes së familjes mbretërore dhe ekzekutimit të saj në vazhdën e Revolucionit Bolshevik të vitit 1917, vendvarrimi i Car Nikollajit të Dytë dhe familjes së tij mbeti një histori e pazgjidhur prej dekadash.
Në fillim të viteve 1990, në galerinë e një miniere të largët u zbuluan trupat e carit dhe katër anëtarëve të tjerë të familjes mbretërore. Më vonë, për nder të tyre u organizua një varrim madhështor nga Presidenti i atëhershëm Boris Jelcin në Shën Petersburg.
“Ne e mbajtëm sekret këtë krim monstruoz. Por ne duhet të themi të vërtetën – masakra e Jekaterinburgut ishte një nga faqet më të turpshme të historisë sonë.”
Në vitin 2007, Vohmjakovi u bë dikush në historinë ruse. Gjatë një ekspedite, ai zbuloi eshtrat e dy anëtarëve të fundit të familjes mbretërore: Alexei Tsarevich dhe e motra Maria.
“Erdha pikërisht në këtë vend. Kur gërmova pak më thellë me lopatë, gjeta eshtra. Kockat e kafkës së një fëmije. Ishin 100 për qind eshtrat e tyre.”
Ose të paktën ashtu u duk në atë kohë.
Provat e shumta të ADN-së nuk lënë asnjë dyshim, por Kisha Ortodokse Ruse – e udhëhequr nga Patriarku Kirill – e ka vënë në pikëpyetje vërtetësinë e zbulimeve me përdorimin e laboratorëve perëndimorë. Që prej asaj kohe, patriarku ka bërë thirrje për një hetim të ri me ekipe të drejtuara nga Rusia.
Vëzhguesit thonë se ky vendim i çuditshëm lidhet si me ritualet misterioze të kishës ashtu edhe me politikën e sotme.
“Për ata që duan ta kuptojnë problemin, çështja është e zgjidhur. Eshtrat janë të vërteta, por Kisha nuk dëshiron t’i njohë ato. Kjo zvarritje ka të bëjë ekskluzivisht me politikën dhe jo me hetimin në vetvete.”
Presidenti rus Vladimir Putin e ka mbështetur vendimin e Patriarkut – pjesë e përqafimit të kujdesshëm nga udhëheqësi rus të traditës imperiale dhe ortodokse të Rusisë duke respektuar të kaluarën e saj sovjetike.
Kjo lidhet me historinë e Putinit si ish-anëtar i KGB-së.
“Po, ai e di shtypjen dhe tragjeditë në Rusi, por është i prirur të flasë sa më pak për to.”
Por për Khomjakovin, gjetja e vendpushimit përfundimtar për familjen mbretërore përbën drejtësinë historike që duhet të ishte venë në vend me kohë.
“Kemi kontrolluar pa pushim. Ka qenë një kërkim që vazhdoi për 100 vjet me radhë dhe më në fund, i gjetëm. Tani fëmijët kanë rastin të bashkohen me prindërit e tyre. Kjo do të ishte një gjë e mirë.”
Në fund të fundit, thotë Vokhmakov, ishte Zoti që e bëri atë të zbulonte eshtrat e Romanove atë ditë. Tani ai po kërkon dhe po lutet që presidenti i Rusisë dhe patriarku t’i japin fund një herë e mirë kësaj historie./voa
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...
Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas e...
Xheneta ia shqyen tekstin e këngës që Gjesti shkroi gjatë që...
Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgje...
Spektakël në ndeshjet e sotme në Ligën e Kampionëve, shënohe...
Shtohen infeksionet respiratore në Shqipëri, Pediatria e mbu...