Grupi militant libanez, Hezbollah, do të godasë caqe të reja izraelite nëse Izraeli vazhdon të shënjestrojë civilët në Liban, paralajmëroi lideri i grupit Sayyed Hassan Nasrallah, duke theksuar se ka pasur rritje të numrit të civilëve të vrarë në Liban ditëve të fundit.
Pesë civilë, të gjithë sirianë, në mesin e të cilëve edhe tre fëmijë u vranë gjatë sulmeve izraelite në Liban më 16 korrik dhe të paktën tre civilë libanezë u vranë në ditën paraprake, sipas medias shtetërore në Liban.
Izraeli ka thënë se shënjestron militantët e Hezbollahut dhe infrastrukturën e grupit në Liban dhe nuk shënjestron civilët.
“Vazhdimi i shënjestrimit të civilëve do të shtyjë ‘Rezistencën’ që të lëshojë raketa në vendbanimet që më herët nuk janë shënjestruar”, tha Nasrallah.
Hezbollahu, grup që mbështetet nga Irani, është grupi më i fuqishëm ushtarak dhe forca më e madhe politike në Liban. Ky grup i referohet të gjitha qendrave të populluara në Izrael si vendbanime, pasi nuk e njeh Izraelin si shtet.
Izraeli dhe Hezbollahu kanë këmbyer zjarr që kur grupi libanez njoftoi se do të mbështesë palestinezët pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor, duke nxitur luftën në Gazë.
Luftimet kanë lënë të vrarë më shumë se 100 civilë në Liban dhe më shumë se 300 luftëtarë të Hezbollahut, sipas shifrave të mbledhura nga Reuters. Po ashtu, si pasojë e luftimeve niveli i dëmeve të shkaktuara në fshatrat dhe qytetet kufitare libaneze nuk është regjistruar që nga lufta izraelito-libaneze më 2006.
Nasrallahu u zotua se të gjitha shtëpitë e shkatërruara do të rindërtohen.
Në javët e fundit është rritur frika në mesin e vëzhguesve ndërkombëtar se Izraeli mund të zgjerojë operacionin e tij ushtarak në Liban, duke rrezikuar zgjerimin e luftës.
Izraeli ka thënë se po bënë përgatitjet e nevojshme për një operacion të gjerë, por ende nuk është vendosur për një operacion të tillë. Hezbollahu, ndërkaq, ka thënë se nuk dëshiron luftë me Izraelin, por është i gatshëm për një luftë të tillë./rel/
Abdixhiku: LDK-ja, e djathta dhe rugovizmi të bëhen bashkë d...
Pas sulmit në Magdeburg seancë e posaçme në Bundestag
Drejtësia tranzicionale dhe adresimi i krimeve të luftës, Ha...
Lansohet pilotimi i Programit të Kuponëve, Nagavci: Një risi...
Nisin pushimet për punonjësit e shtetit, ky është kalendari ...
PSG dhe West Ham në negociata për transferimin e Soler në Pa...