Drejtori i FBI-së Chris Wray do të japë dorëheqjen në përfundim të administratës së Joe Biden. Kjo është bërë e ditur nga CNN bazuar në një deklaratë të FBI-së sot (të mërkurën). Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump njoftoi më parë se do të emërojë Kash Patel për këtë post, megjithëse Wray-t i kishin mbetur edhe tre vjet në mandatin e tij 10-vjeçar.
“Pas javësh të menduari të kujdesshëm, kam vendosur që gjëja e duhur për Byronë është që unë të shërbej deri në fund të administratës aktuale në janar dhe më pas të largohem. Qëllimi im është të mbaj fokusin në misionin tonë, punën e domosdoshme që po bëjmë në emër të popullit amerikan çdo ditë”, tha Wray.
“Për mendimin tim, kjo është mënyra më e mirë për të shmangur zvarritjen e Byrosë më thellë në grindje, duke përforcuar vlerat dhe parimet që janë kaq të rëndësishme për mënyrën se si ne e bëjmë punën tonë.”
“Duhet të jetë e qartë, por gjithsesi do ta them, kjo nuk është e lehtë për mua. E dua këtë vend, e dua misionin tonë dhe i dua njerëzit tanë, por fokusi im është dhe ka qenë gjithmonë te ne dhe të bëjmë atë që është e drejtë për FBI-në”, shtoi Wray.
Wray mori drejtimin e agjencisë pasi Trump shkarkoi drejtorin James Comey pas hetimeve nën mbikëqyrjen e tij për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016. Comey u largua nga zyra në maj 2017.
Wray u pa nga shumë ligjvënës si një zgjedhje solide, por ai në fund pësoi një fat të ngjashëm si paraardhësi i tij, pasi edhe ai mbikëqyri një FBI që hetoi Trumpin, hetime që rezultuan në dy raste të veçanta federale kundër ish-presidentit.
Pas fitores së tij në zgjedhje, Trump premtoi të hiqte Wray dhe ta zëvendësonte atë me Patelin, një besnik i Trumpit, i cili është zotuar të çrrënjosë atë që ai e quajti “Deep State” dhe të ripërqëndrojë misionin e agjencisë së zbatimit të ligjit.
Nën drejtimin e Wray-t, FBI kreu gjithashtu hetimin më të madh në historinë e saj të gjatë në përgjigje të sulmit të Kongresit të SHBA më 6 janar 2021, duke çuar në arrestimin e mbi 1500 personave të akuzuar për shkelje të ligjit./A2cnn
BE vendos sanksione të reja ndaj Rusisë
Shtatë shenjat e çuditshme që tregojnë se vuani nga migrena
Për herë të parë në historinë e Champions League, dy baballa...
Bekim Jashari: Besarta nuk do të jetë pjesë e asnjë liste el...
Vetëvendosja mohon raportimet se Besarta Jashari do jetë kan...
Gjesti dhe Leo dhurojnë spektakël me këndim e sfilatë në ‘Ta...