Google ADS

Hetimet për sulmin në Magdeburg, të dyshuarit i është caktuar paraburgimi

12:46 | 22 Dhjetor 2024
E.G

Policia gjermane po heton problemet e sigurisë dhe paralajmërimet e sulmit në tregun e krishtlindjes në qytetin Magdeburg, pas kritikave dhe zemërimit të madh të njerëzve.

Hidhërimi dhe zemërimi po vlojnë në Magdeburg pasi një sulmues përdori një korsi aksesi për automjetet e urgjencës për të hyrë në tregun Krishtlindjes, duke vrarë pesë persona dhe duke lënduar më shumë se 200.

Në një vizitë të shtunën, kancelari gjerman Olaf Scholz, ministrat dhe liderët politikë rajonalë u sulmuan nga anëtarët e publikut, disa të indinjuar në dukje nga ajo që u kritikua si një dështim i sigurisë.

Autoritetet po përballen gjithashtu me pyetjen pas raportimeve se ata ishin paralajmëruar vitin e kaluar për të dyshuarin, me policinë që tha se kishte kryer një vlerësim nëse autori mund të ishte një kërcënim i mundshëm një vit më parë.

Të dyshuarit i është caktuar masa e paraburgimit dhe përballet me akuzat për vrasje, tentim vrasje dhe lëndim të rrezikshëm trupor.

Zakonisht në këtë periudhë të vitit, qendrat e qyteteve gjermane janë plot me blerës dhe argëtues që pinë verë të zier, por këtë vit disponimi është shumë i ndryshëm.

Tregu kryesor i Krishtlindjeve është i rrethuar nga furgonat e policisë ndërsa oficerë të armatosur patrullojnë dyqanet dhe qendrat tregtare aty pranë.

Teksa Scholz dhe kolegët e tij dolën nga tregu i rrethuar gjatë vizitës së tyre të shtunën, ata u ndeshën me thirrje agresive si “zhdukuni”.

Disa njerëz dukeshin të tërbuar nga një mungesë e perceptuar në siguri. Të tjerët u shfaqën thjesht të mërzitur dhe të irrituar në përgjithësi me liderët politikë të Gjermanisë.

Siguria është rritur në tregjet e Krishtlindjeve në të gjithë Gjermaninë që nga një sulm i ngjashëm në Berlin në vitin 2016, kur një burrë futi një kamion në një turmë tregu, duke vrarë 12 persona.

Tregjet e Krishtlindjeve me plan të hapur tani kanë një lloj pengese rreth tyre – zakonisht blloqe të mëdha betoni, që është rasti në Magdeburg.

Megjithatë, hendeku në barriera ishte mjaft i madh për të lejuar kalimin e automjeteve të urgjencës.

I dyshuari, një mjek nga Arabia Saudite i quajtur Taleb al-Abdulmohsen, arriti në Gjermani në vitin 2006 dhe në vitin 2016 dhe ju njoh statusi i refugjatit.

Si ateist, ai drejtonte një faqe interneti që synonte të ndihmonte ish-myslimanët e tjerë që të largoheshin nga persekutimi në atdheun e tyre të Gjirit. Mediat e tij sociale ishin plot me ndjenja anti-islamike dhe teori konspirative./rtk

Të ngjashme