Bilanci i trazirave të fundjavës në kryeqytetin e landit Baden-Württemberg ka tronditur shumë njerëz në Gjermani. Qeveria federale gjermane i dënoi me forcë trazirat dhe sulmet ndaj policëve në Shtutgart.
Asgjë nuk i justifikon sulmet e tilla që drejtohen kundër qytetit dhe qytetarëve të tij – tha zëdhënësi i qeverisë Steffen Seibert. Në emër të qeverisë federale gjermane ai u uroi të dëmtuarve shërim të shpejtë.
Plagosje, plaçkitje, dëme materiale
Në qendër të qytetit të Shtutgartit policia zhvilloi gjatë fundjavës një kontroll rutinë për droga, i cili u shndërrua në një natë trazirash dhe përleshjesh mes rreth 500 vetësh dhe policisë.
Grupet e huliganëve shkatërruan rreth 40 dyqane, dëmtuan makinat e patrullimit të policisë dhe plaçkitën objekte të tjera rrugëve të qendrës së qytetit. 19 policë u plagosën. 24 vetë u arrestuan përkohësisht, përfshirë edhe dy gra. Dymbëdhjetë nga të arrestuarit kanë pasaportë gjermane. Shtatë të dyshuar do t’i dërgohen gjykatës. Nënkryetari i Policisë së Shtutgartit, Thomas Berger, tha se dëmet e shkaktuara ndaj pronës kapin shuma gjashtë deri në shtatë shifrore.
Ndëshkime të ashpra
Ministri i Brendshëm federal, Horst Seehofer, kërkon ndëshkime të ashpra për huliganët. “Këtu bëhet fjalë edhe për besueshmërinë e shtetit tonë kushtetues,” tha politikani i CSU-së gjatë një vizite në Shtutgart. Zhvillimet e fundjavës dhe ato të muajve të kaluar janë një “sinjal alarmi për rendin dhe ligjit”, tha politikani. Nuk bëhet fjalë vetëm për dhunën ndaj policisë, por edhe për abuzimin verbal ndaj zyrtarëve. “Fjalët shndërrohen gjithmonë në vepra.” – tha Seehofer.
Edhe Presidenti Frank-Walter Steinmeier i kritikoi trazirat e dhunshme dhe përkrahu demonstrativisht oficerët e policisë. “Dhuna, vandalizmi, brutaliteti i mirëfilltë – si u pa gjatë fundjavës në Shtutgart – duhet të përndiqen dhe të ndëshkohet me gjithë ashpërsinë e ligjit,” tha Steinmeier në Berlin. “Kujtdo që sulmon oficerët e policisë, i shan e i përçmon ata ose krijon përshtypjen se ata janë të tepërt ne duhet t’i kundërvihemi me vendosmëri.”
Asnjë dëshmi për motive politike
Sipas drejtuesve të policisë trazirat me shumë gjasë nuk ishin të motivuara politikisht. “Ende nuk kemi asnjë provë për t’u marrë vërtetë në konsideratë që pas këtyre veprimeve ka një motiv politik ose fetar,” tha Stefanie Hinz, Kryetare e Policisë së landit Baden-Württemberg. Në një deklaratë në Facebook, shefi i policisë së Shtutgartit Franz Lutz u shpreh për një “ditë të trishtuar për Shtutgartin”. Ai tha se në 46 vjet shërbim policor kurrë nuk kishte përjetuar një dimension të tillë dhune. “Ne do të bëjmë çmos që kriminelët të identifikohen sa më shpejt që të jetë e mundur.” – shkruan shefi i policisë së Shtutgartit./DW
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...