Harris zbulon planin ekonomik, propozime për uljen e taksave, çmimeve të ushqimeve dhe strehimit

15:55 | 17 Gusht 2024
R J

Zv. presidentja amerikane, qe garon për drejtimin e Shtepise se Bardhe, Kamala Harris njoftoi një sërë propozimesh ekonomike që synojnë uljen e taksave, uljen e çmimeve të artikujve ushqimorë, strehimit dhe gjërave të tjera thelbësore për shumë amerikanë.

“Faturat po shtohen”, deklaroi ajo, duke u përpjekur të trajtojë shqetësimet financiare, që janë përparësi kryesore për votuesit

“Si presidente, unë do të marr përsipër kostot e larta që kanë më shumë rëndësi për shumicën e amerikanëve, si kostoja e ushqimit. Të gjithë e dimë se çmimet u rritën gjatë pandemisë kur zinxhirët e furnizimit u mbyllën dhe dështuan. Por zinxhirët tanë të furnizimit tani janë përmirësuar dhe çmimet janë ende shumë të larta.”

Gjatë një fjalimi në shtetin e Karolinës së Veriut, Kamala Harris shfaqi planin e saj për një ndalim federal të rritjes së çmimeve nga prodhuesit e ushqimeve dhe kompanitë e shpërndarjes së artikujve ushqimorë. Ajo gjithashtu propozoi 25 mije dollarë ndihmë për një kategori të blerësve të parë të shtëpive dhe lehtesi tatimorë për ndërtuesit e shtëpive të reja.
Ajo theksoi uljen e taksave për familjet, si dhe për njerëzit me të ardhura të mesme dhe të ulëta, duke premtuar se do të zgjerojë kredinë tatimore të fëmijëve deri në 3600 dollarë për fëmijë dhe 6000 dollarë për fëmijët në vitin e tyre të parë të jetës. Në përgjithësi, planet përfaqësojnë një vazhdimësi të shumë përparësive të administratës së Presidentit Biden.

Kandidatja demokrate Harris nuk po kërkon ndonjë largim radikal nga politikat e Presidentit Joe Biden, i cili u tërhoq nga gara për president muajin e kaluar dhe e mbështeti Nënpresidenten Harris. Megjithatë, zonja Harris ka përqafuar politikat populiste të ekonomisë, duke u zhvendosur nga përparësia e zotit Biden për krijimin e vendeve të punës dhe infrastrukturën në çështjet që lidhen më ngushtë me uljen e kostos së jetesës, si çmimet e ushqimeve, kostoja e banesave dhe uljen e taksave për familjet.

Pjesa më e madhe e asaj që ajo po propozon do të ketë nevojë për miratim nga Kongresi, një gjë që mund të jetë e vështirë për shkak të mjedisit të ashpër politik. Megjithatë, ekipi i fushatës së zonjës Harris ka ofruar detaje të pakta mbi mënyrën se si do të financoheshin këto propozime.

Nënpresidentja Harris po përpiqet të frenojë sulmet e ish Presidentit Trump ndaj saj, në të cilat e quan atë “një liberale radikale të Kalifornisë që shkatërroi ekonominë”./abcnews.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme