Ndërsa kanë mbetur më pak se dy javë nga zgjedhjet presidenciale dhe anketime tregojnë për një garë tepër të ngushtë, demokratja Kamala Harris dhe republikani Donald Trump janë përqëndruar në Pensilvani, një shtet vendimtar, i cili mund të përcaktojë presidentin e ri amerikan.
Si Donald Trumpi dhe Kamala Harrisi kanë intensifikuar takimet zgjedhore në Pensilvani, kanë investuar para dhe energji për fushatë në shtetin vendimtar për rezultatin e zgjedhjeve.
Nga 7 shtetet kyçe, Pensilvania është më e madhja dhe ka 19 elektorë, numrin më të lartë ndër ato që konsiderohen shtetet vendimtare.
Në dy garat e fundit, kandidati që ka fituar në Pensilvani, ka fituar edhe zgjedhjet presidenciale. Diferenca në të dyja rastet ka qënë e ngushtë, me disa dhjetra mijra vota në një shtet me miliona votues.
Ndërsa anketimet tregojnë se edhe në këto zgjedhje, gara në atje është teper e ngushtë, Pensilvania mund të përcaktojë fituesin e Shtëpisë së Bardhë.
“Pensilvania është një shtet që e fitoi Trumpi në 2016 dhe Bideni në 2020. Ka shumë votues të bardhë, të klasës punëtore. Ka qendra të mëdha urbane, komunitete rurale. Pra është si një lloj miniature e të gjithë vendit, në disa pikëpamje”, shprehet drejtori i kolegjit Franklin & Marshall, Berwood Yost.
Fuqia e këtij shteti duket se qëndron tek vetë votuesit që kuptojnë rolin jetik që mund të kenë në këto zgjedhje.
“Mendoj se është ndarë në mënyrë të barabartë, gjysma e miqve të mi votojnë për Kamalan dhe gjysma tjetër votojnë për Trumpin. Nëse ky është një tregues atëherë këtu kemi një garë mjaft të ngushtë”, thotë Brian Neel, një votues në Pensilvani.
Edhe votuesja Jodi Eichler-Levine ka të njëjtën ndjesi.
“Mendoj se Pensilvania ka nje garë kaq të ngushtë sa që ditën e zgjedhjeve mund të ndikojnë shumë faktorë, që nga fakti, se sa të përkushtuar janë ekipet e kandidatëve për të shkuar derë më derë deri tek moti që mund të ndikojë në daljen ne votime”, shprehet Jodi Eichler-Levine, votuese në Pensilvani.
Demokratja Harris shpreson të sigurojë një numër të madh votash në qendrat urbane në qytetet Filadelfia dhe Pitsburg dhe të shtojë mbështetjen në periferitë e këtyre qyteteve. Ajo u ka bërë thirrje grave, votuesve me ngyrë dhe studentëve, elektoratit që i dha fitoren Joe Bidenit 4 vjet më parë, të dalë në mënyrë masive në votime.
“Do të votoj për Kamala Harrisin. Gjithë jetën kam votuar demokratët. Besoj se ajo po punon për shtresën e mesme, pjesë e së cilës e ndjej veten”, thotë Paul Grant, votues në Pensilvani.
Nga ana tjetër, Donald Trumpi shpreson të zgjerojë mbështetjen në zonat rurale, që i fitoi lehtësisht në 2020 dhe shpreson që votuesit, që tradicionalisht kanë mbështetur demokratët, si latinët dhe punëtorët e krahut, të votojnë për të.
“Votova për presidentin e vërtetë, Presidentin Trump. Vendim i drejtë, sepse po shkojmë në drejtimin e gabuar”, thotë Moses Gonzalez, votues në Pensilvani.
Ndërsa të dyja palët po pretendojnë se kanë epërsi, në një garë kaq të ngushtë, është shumë e qartë, se edhe një votë ka rëndësi.
“Votuesit e të dy kandidatëve janë të motivuar në mënyrë të barabartë. Do jetë një garë në terren”, thotë Berwood Yost nga kolegji Franklin & Marshall.
Për demokraten Harris sfida këtu është edhe më e madhe. Që nga vitit 1948, asnjë demokrat nuk ka fituar zgjedhjet, pa fituar në Pensilvani./voa
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...