Ditën e sotme, Arkiva Kombëtare Amerikane publikoi dhjetëra mijëra dokumente sekrete mbi vrasjen e Presidentit të 35-të amerikan, John Kennedy.
Urdhëri për publikimin e dosjeve sekrete u dha nga presidenti Donald Trump. Ai argumentoi se nëse publikimi i tyre nuk shkel asnjë afat të përcaktuar nga ligji, ose nuk cenon ndonjë sekret kombëtar, nuk ka kuptim që dosjet të mbahen të fshehura.
Një komision i mbajtur më 26 tetor të vitit 1992 vendosi t’i bllokojë këto dosje për publikun për 25 vjet. Një nga arsyet pse u mor ky vendim ishte filmi “JFK” i Oliver Stone në vitin 1991, që sipas komisionit nxiste frymën konspirative lidhur me vrasjen.
Kjo është një ngjarje me jo pak rëndësi, pasi vrasja e Kennedyt është perceptuar gjithmonë nga opinioni publik amerikan si e manipuluar. Ndër vite, ajo është shoqëruar nga një numër i madh teorish konspirative.
Lapsi.al sjell sot një shkrim të “The Guardian” që shtjellon një nga komplotet më të përfoluara rreth vrasjes së Presidentit. Bëhet fjalë për ‘bashkëpunimin’ e CIA-s dhe FBI-së për të fshehur provat që implikonin indirekt dy agjensitë në atentatin më të përfolur të shekullit të 20-të.
Mes teorive të pafundme që lidhen me vrasjen e nëntorit 1963 të presidentit John F Kennedy, qëndron një teori konspirative që me kalimin e viteve rezultoi e vërtetë.
Provat për këtë komplot ekzistonin që më përpara, por me shumë mundësi ditën e sotme ato do të bëhen edhe më solide. Kjo, falë publikimit të dhjetëra mijëra faqeve dokumente të klasifikuara sekrete të atentatit që ruheshin në Arkivën Kombëtare. Këto dokumente supozohet të jenë të fundit që qeveria fsheh mbi vrasjen e Kennedyt.
Po për cilën teori konspirative bëhet fjalë?
Jo atë që përfshin një vrasës të dytë (të gjitha dëshmitë e besueshme vazhdojnë të theksojnë Lee Harvey Osvald si vrasësin e vetëm). Jo atë që përfshin një lloj komploti mafioz. Jo një grusht shteti të gjerë që përfshinte që nga Presidenti Lyndon Johnson, arkitektët e luftës së ftohtë në Pentagon, e deri tek një grup që mbështeste të drejtat e homoseksualëve.
Po i referohemi një komploti të dokumentuar mirë, të provuar brenda kupolës së qeverisë amerikane, një konspiracion kriminal që nga fillimi dhe që përfshin shkatërrimin e fotove dhe dokumentave Top-Secret, heshtjen e dëshmitarëve dhe informatorëve si dhe nxjerrjen në dritë të dëshmive të rreme. Qëllimi i gjithë kësaj ishte fshehja e një të vërtete. Asaj që qeveria amerikane ishte e informuar që më përpara për Osvald-in (vrasësin), dhe kërcënimin e qartë që ai paraqiste për presidentin Kennedy.
CIA mbajti të fshehta ngjarjet që ndodhën menjëherë pas vrasjes. Në një raport sekret të CIA-s, që u bë publik në vitin 2014, një eksponent i lartë i agjensisë pranoi se ky institucion është investuar për të fshehur prova nga komisionet e kongresit dhe hetimet e mëvonshme qeveritare. CIA kishte për qëllim që hetimi të përqëndrohej vetem tek një dëshmi. Kjo dëshmi theksonte se Lee Harvey Osvald, për motive të papërcaktuara, kishte vepruar i vetëm në vrasjen e Kennedyt. Sipas dokumentit sekret që u publikua në 2014-tën, CIA mendonte se në ato momente kjo do të ishte e vërteta më e mirë.
Sigurisht ky investim për të fshehur të vërtetën nuk mund të jetë i mire. Mendohet se CIA dhe FBI-ja kanë pasur përplasje mes tyre para ekzekutimit të Kennedyt, lidhur me kërcënimet që rrezikonin atë. Një dokument i fshehtë zbuloi më vonë se të dyja këto agjensi kontribuan në nxjerrjen dhe nxitjen për të popullarizuar dhjetëra teori konspirative që lidheshin me vrasjen e Kennedyt. Por, që nga fundi i viteve ‘60-të, sondazhet kanë treguar vazhdimisht se shumica e popullsisë amerikane nuk beson se qeveria është treguar tërësisht e sinqertë për vrasjen e Kennedyt. Dhe skepticizmi i tyre ka qenë gjithmonë i justifikuar.
Vrasja e Kennedyt nuk duhet të ndodhte. Ajo mund të ishte parandaluar lehtësisht nëse CIA dhe FBI do të kishin reaguar mbi të dhënat që kishin në dosjet e tyre për muajin “nëntor 1963”. Po, është e vërtetë që Osvaldi ishte një person i dhunshëm. Por, ai nuk ishte një ‘ujk i vetmuar’, siç e portretizoi fillimisht qeveria. Në këtë mënyrë u manipulua që opinioni publik të mendonte se ishte e pamundur për t’a ndaluar atë.
Në të vërtetë, si CIA, ashtu dhe FBI-ja kishin disa muaj që e mbanin Osvald-in në vëzhgim non-stop, para se të kryente vrasjen. Ata e dinin që ai, në kulmin e luftës së ftohtë, fliste me njerëz që dëshironin vrasjen e Kennedyt.
Osvald-i, i cili ishte vetë shpallur marksist, kishte kryer disa vite trajnime në marinën amerikane për qitje. Të dyja agjensitë ishin të informuara mirë për këtë fakt. CIA dhe FBI-ja duhet të merrnin parasysh se Osvald mund të përbënte rrezik për Kennedyn. Madje në atë periudhë, Osvald sapo kishte filluar punë në një depo librash shumë pranë vendit ku do kalonte Kennedy.
Ish-drejtori i FBI-së, Clarence Kelley, pranoi me gjysëm zëri pasi doli në pension se, CIA dhe FBI-ja duhet të kishin reaguar për të ‘paralizuar’ Osvald-in.
Ai shtoi se nëse FBI do të kishte reaguar, pa dyshim John Kennedy nuk do të kishte vdekur në Dallas atë ditë.
(Pak çaste pas ekzekutimit të John Kennedyt. Njerëzit pranë shtrihen në tokë të trembur nga plumbat. Agjentë të shërbimit sekret kërkojnë të nxjerrin nga makina bashkëshorten e Presidentit, Jacqueline Kennedy Onassis)
Në vend të të vepruarit kështu, menjëherë pas vrasjes, zyrtarët e CIA-s dhe FBI-së, në panik, u përpoqën me sa kishin mundësi të mbulonin provat që zbulonin se ata ishin të informuar mbi Osvald-in dhe rrezikshmërinë që ai paraqiste. Ata vepruan në këtë mënyrë pasi kishin frikë se do të fajësoheshin për vrasjen e presidentit.
Dhe prandaj nuk është çudi që të jenë pikërisht CIA dhe FBI-ja ato që do të publikojnë mes institucionit të Arkivës Kombëtare, dhjetëra mijëra faqe të dokumenteve të klasifikuara për Kennedyn.
Sipas ligjit, të gjitha dosjet e qeverisë që lidhen me vrasjen e Kennedyt duhet të publikohen të plota, pas një afati që përfundoi këtë të enjte, më 26 tetor.
Me publikimin e dosjeve ditën e sotme, shumë historianë dhe kërkues do të kenë në fokus të ‘hetimeve’ të tyre një udhëtim të vrasësit Osvald në Mexico City për rreth gjashtë ditë, vetëm disa javë para vrasjes. Dyshohet se ai shkoi atje për të siguruar një vizë për t’u fshehur në Kubë pas atentatit që po planifikonte ndaj Presidentit.
Menjëherë pas vrasjes, CIA dhe FBI-ja pranuan se kishin qenë të informuara se Osvald-i kishte vizituar ambasadat kubane dhe sovjetike në Meksikë. Por, agjencitë këmbëngulën se nuk kishin asnjë informacion që mund t’i bënte ato të besonin se Osvald kishte bërë ndonjë gjë në Meksikë për të lënë të kuptohet se një komplot për të vrarë Kennedy e kishte pikënisjen atje.
Por, disa dosje të deklasifikuara nga të dyja agjensitë pak vite pas vrasjes treguan se gjatë udhëtimit, Osvald u takua në Meksikë me spiunë kubanë dhe sovjetikë, duke përfshirë edhe një ekspert vrasjesh të KGB-së ruse.
Ndërsa një tjetër dokument që u deklasifikua në vitet ‘90-të përmbante një shkrim të vitit 1964 të drejtorit të FBI-së, J Edgar Hoover, ku theksohej se Osvald-i kishte folur haptazi në Meksiko City për qëllimin e tij për të vrarë Kennedyn.
Çështja është se ky shkrim i ish-drejtorit të FBI-së nuk u shfaq kurrë në komisionet hetimore që u ngritën për vrasjen e Kennedyt. Pavarësisht se ky shkrim, pas kaq vitesh u publikua nga Arkiva Kombëtare Amerikane, pjesëtarët e komisionit të hetimit që janë ende gjallë janë shprehur se shkrimi nuk u paraqit kurrë në komision.
Ata thanë se nuk do t’a kishin harruar kurrë një dokument të tillë kaq ‘bombë’. Sipas tyre, nëse ky shkrim i J Edgar Hoover do të sillej në komision, aty do të ishte vendosur të nisej një hetim urgjent në Meksikë.
Në Dallas, aksioni për zhdukjen e provave filloi fundjavën pas vdekjes së presidentit. Veprimi i parë erdhi të dielën më 24 nëntor. Pronari i një klubi nate, Jack Ruby, vrau Osvald-in në selinë e policisë në Dallas, para shumë kamerave. (shiko videon poshtë). Ishte pikërisht koha kur një agjent i FBI-së u urdhërua të shkatërronte një shkresë që Osvald-i i dorëzoi zyrës së FBI-së shumë ditë përpara vrasjes, ku kërkohej që ai dhe familja e tij të mos mbikqyreshin aq agresivisht.
Çfarë kishte shkruar Osvaldi në atë letër? Ne nuk do t’a dimë kurrë, sepse agjenti i FBI-së pasi mori letrën, e grisi dhe e hodhi në WC. Shumë vite më vonë, ky agjent pranoi para hetuesve të kongresit se ai dhe supervizori i tij ishin të trembur pasi ajo letër mund të shihej si provë që FBI-ja kishte neglizhuar një mundësi të artë për të shpëtuar jetën e Presidentit të 35-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Lela e zbulon planin e Drilonit me Anisën, jashtë BBVK3
Republikanët arrijnë marrëveshje për të shmangur mbylljen e ...
Haziri: Abdixhiku bëhet kryeministër më 9 shkurt dhe më 10 s...
Nuk e keni ditur por krehri i flokëve duhet të pastrohet çdo...
Noizy performon në Festivalin e Këngës në RTSh-së
Pranim-dorëzimi i detyrës së kreut të Kushtetueses, Rohde: E...