Grupi radikal palestinez, Hamas, ka liruar grupin e parë të pengjeve, bazuar në marrëveshjen e armëpushimit që hyri në fuqi më 24 nëntor, sipas zyrtarëve dhe raportimeve mediale.
Në grupin e pengjeve të liruar bëjnë pjesë 13 izraelitë që u mbajtën në Rripin e Gazës për pothuajse shtatë javë nga Hamasi – grup i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Mediat izraelite kanë bazuar raportimet e tyre tek informacionet e siguruara nga zyrtarët e sigurisë.
Dymbëdhjetë shtetas të Tajlandës po ashtu janë liruar, tha kryeministri i Tajlandës, Srettha Thavisin.
Sipas marrëveshjes, armëpushimi do të zgjasë katër ditë, periudhë në të cilën do të lirohen 50 pengje.
Izraeli po ashtu do të lirojë 150 palestinezë gjatë katër ditëve, si pjesë e marrëveshjes. Tridhjetenëntë të burgosur do të lirohen më 24 nëntor.
Gjatë sulmeve më 7 tetor në jug të Izraelit, Hamasi vrau më shumë se 1.200 persona dhe mori peng afër 240 të tjerë.
Si pasojë e sulmeve hakmarrëse izraelite, në Rripin e Gazës – të banuar me 2.3 milionë banorë – janë vrarë të paktën 13.000 palestinezë.
Ndërprerja e luftimeve të premten ka ofruar njëfarë lehtësimi për banorët e Gazës, të cilët janë përballur me bombardime të pareshtura izraelite prej javësh, si dhe për familjet në Izrael, të cilat frikohen për fatin e më të dashurve të tyre, të marrë peng gjatë sulmit të 7 tetorit nga Hamasi.
Sipas marrëveshjes, Izraeli do të lirojë tre palestinezë për çdo peng të liruar nga Hamasi. Lirimi i pengjeve nga grupi radikal palestinez do të bëhet në faza gjatë katër ditëve të ardhshme.
Marrëveshja për armëpushim dhe lirim pengjesh e të burgosurish u arrit ditë më parë, pas javësh negociata të tensionuara indirekte, teksa Katari, Shtetet e Bashkuara dhe Egjipti shërbyen si ndërmjetës./rel
Kosova mundet nga Irlanda
Rama thotë se ka filluar instalimi i ashensorëve në banesa k...
Gjuajtja me vezë – Xheneta akuzon Xuxin se e ka planifikuar ...
Abdixhiku: Sonte, Malisheva i dha zë ‘Turneut të Ndryshimit’
Vdekja e 25-vjeçarit në Prizren, Haradinaj bën thirrje për r...
Osmani takoi Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, fl...