Hakerët kinezë sulmojnë kompanitë gjermane

21:52 | 28 Janar 2022
S D

Shërbimet Sekrete gjermane njoftojnë se grupi kinez i hakerëve APT 27 ka nisur sulme kibernetike ndaj bizneseve gjermane. Ky grup dyshohet prej kohësh se ka sulmuar institucione qeveritare perëndimore.

Shërbimet sekrete gjermane njoftuan se grupi kinez i hakerëve APT 27 ka nisur të sulmojë kompanitë gjermane në disa sektorë përfshirë edhe ato të industrisë farmaceutike dhe të teknologjisë. Zyrtarët thonë se akronimi APT (Advanced Persistent Threat) 27 është pseudonimi për një grup hakerësh kinezë që besohet se sulmon sektorë kritikë dhe ambasada të huaja.

Enti Federal për Mbrojtjen Kushtetuese (BfV) tha se APT 27 kishte përdorur një variant malware për të sulmuar kompanitë tregtare. BfV tha se që nga marsi i vitit 2021 sulmuesit kishin shfrytëzuar si portë për sulmet dobësitë në softuerin që përdoret zakonisht, raporton DW.

Shefat e shërbimeve sekrete thanë se hakerat gjithashtu mund të përpiqen të depërtojnë në rrjetet e klientëve dhe ofruesve të shërbimeve. BfV nuk dha informacione specifike për kompanitë apo institucionet e sulmuara prej hakerëve.

Cilët janë hakerët?

Sipas BfV grupi i spiunazhit kibernetik APT 27 është aktiv të paktën që nga viti 2010.

BfV kishte njoftuar në raportin e saj për mbrojtjen kushtetuese të vitit 2019, se APT 27 ishte pseudonimi i një grupi të njohur gjithashtu si “Emisar Panda”. Grupi me bazë në Kinë thuhet se ka sulmuar edhe ambasadat e huaja për të mbledhur informacione për qeveritë si dhe sektorët e mbrojtjes dhe të teknologjisë.

Fushatë globale spiunazhi kibernetik

Vitin e kaluar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj akuzuan Kinën për kryerjen e një fushate globale spiunazhi kibernetik, një pretendim që Pekini e mohon.

Administrata e Bidenit fajësoi në korrik zyrtarisht Kinën për hakerim masiv të softuerit të serverit të emailit Microsoft Exchange. Shtëpia e Bardhë tha se hakerët kriminelë të lidhur me qeverinë kineze kishin kryer sulme ransomware dhe aktivitete të tjera të paligjshme.

Vetë Microsofti tha vitin e kaluar se një grup që vepron nga Kina ishte përpjekur të vidhte informacione nga disa servera amerikanë, ndër të tjera serverë institucionesh studimore për sëmundje infektive, firma ligjore, universitete dhe organizata joqeveritare.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme