Hakerët “hakmerren” për vdekjen e Alexei Navalnyt

10:55 | 1 Prill 2024
KRG

Pak orë pas vdekjes së liderit opozitar rus, Alexei Navalny, një grup hakerësh anti-Kremlin nisën të hakmerreshin.

Duke përdorur qasjen e tyre në një rrjet kompjuterik të lidhur me sistemin e burgjeve të Rusisë, hakerët vendosën një foto të Navalnyt në faqen e internetit të burgut.

“Rroftë Alexei Navalny”, thuhej në mbishkrimin e fotos.

Gjithashtu, ata njoftuan se kanë vjedhur një bazë të dhënash që përmbajnë informacione për qindra mijëra të burgosur rus dhe të afërmit e tyre, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.

Bëhet e ditur se hakerët po i ndajnë këto të dhëna duke përfshirë numrat e telefonit dhe email-at e të burgosurve dhe të afërmve të tyre “me shpresën se dikush mund t’i kontaktojë ata dhe t’i ndihmojë të kuptojnë se çfarë saktësisht ka ndodhur me Navalnyn”.

Ata pretendojnë se baza e të dhënave që kanë në dorë përmban informacione për rreth 800 mijë të burgosur dhe të afërmit e tyre.

Përveç kësaj, hakerët kanë përdorur qasjen e tyre edhe për të ndryshuar çmimet e ushqimeve të dyqanit rus të të burgosurve.

“Hakerët qartazi kanë qasje për t’i marrë të gjitha”, tha eksperti i sigurisë kibernetike, Tom Hegel.

Këto veprime janë shoqëruar me një mesazh nga emigrantë të përshkruar si rusë.

“Ne, specialistët e IT-së, u larguam nga Rusia e sotme. Ne e duam vendin tonë dhe do të kthehemi kur të çlirohet nga regjimi i Putinit”, thotë mesazhi.

Ndryshe, Navalny vdiq në rrethana misterioze më 16 shkurt në një burg në rajonin Yamalo-Nenets në verilindje të Moskës. Përgjegjës për vdekjen e tij, SHBA-ja e konsideron presidentin rus, Vladimir Putin.

Në shenjë hakmarrjeje për vdekjen e tij por edhe për pushtimin e territoreve ukrainase nga Rusia, hakerë nga vende të ndryshme janë bashkuar dhe kanë filluar të funksionojnë si një grup i vetëm që nga fillimi i luftës. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme