Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, tha se bota është përballë një mundësie të një konflikti të armatosur në Gjirin Persik dhe se pasojat e tij do të jenë të papërballueshme, raporton Anadolu Agency (AA).
Guterres u adresua para liderëve të 193 vendeve në hapjen e mbledhjes së 74-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku shprehu shqetësime mbi tensionet në Gjirin Persik dhe luftën tregtare midis SHBA-së dhe Kinës.
“Jemi përballë një mundësie konflikti alarmant të armatosur në Gjirin Persik, pasojat e të cilit nuk do të mund t’i bartim”, tha Guterres.
“Sulmi ndaj fabrikave të naftës në Arabinë Saudite është i papranueshëm. Ne duhet të bëjmë çdo gjë që mundemi që të kemi arsye të shëndoshë dhe përmbajtje, duke pasur parasysh se një llogaritje e vogël e gabuar mund të shkaktojë krizë të madhe”, shtoi shefi i OKB-së.
Guterres theksoi se shtetet e rajonit shpresojnë të jetojnë brenda respektit reciprok dhe bashkëpunimit pa ndërhyrë në punët e brendshme të njëri-tjetrit, ndërsa nënvizoi nevojën për ruajtjen e marrëveshjes bërthamore me Iranin.
Vitin e kaluar, SHBA u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja bërthamore me Iranin e firmosur në vitin 2015 dhe rivendosi sanksione ndaj Teheranit, duke shkaktuar rritjen e tensioneve.
Ndërkaq, më 14 shtator, dy sulme me dronë goditën fabrikat saudite të naftës, duke rritur tensionet tashmë të ngritura në rajon, pasi disa vende, përfshirë SHBA-në dhe Arabinë Saudite, fajësuan Iranin për sulmet.
Situata në Gjirin Persik ka qenë e tensionuar edhe në muajt paraprakë për shkak të sulmeve ndaj disa tankerëve të naftës.
– Lufta tregtare SHBA-Kinë
Gjatë fjalës së tij, Guterres bëri paralajmërime edhe kundër “luftës tregtare” ndërmjet SHBA-së dhe Kinës.
“Frikohem nga mundësia e një frakture të madhe. Bota po ndahet më dysh. Dy ekonomitë më të mëdha në botë po krijojnë dy bota të ndryshme që garojnë me valutat e tyre, me rregullat e tyre tregtare dhe financiare, me internetet e tyre, me inteligjencat artificiale dhe me strategjitë gjeopolitike dhe ushtarake që sjellin zero përfitime”, tha Guterres.
Meksikë, rrëzohet avioni “Cessna 207”, raportohet për 7 vikt...
LDK shënon 35-vjetorin e themelimit
Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj
“Shkodra Elektronike” me “Zjerm” për...
Kurti e Nagavci sot lansojnë pilotimin e Programit të Kuponë...
Moti sot i vranët dhe me riga shiu