Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i bëri thirrje botës që të “ndalë çmendurinë” e ndryshimeve klimatike, përderisa ai vizitoi rajonet në Himalaje që po përballen me shkrirjen e shpejtë të akullnajave.
“Tavani i botës po bie”, tha Guterres, gjatë vizitës në rajonin e Everestit në Nepal, duke shtuar se ky shtet ka humbur pothuajse një të tretën e akullit gjatë tre dekadave të fundit.
“Akullnajat janë rezervuar i akullit. Akullnajat këtu në Himalaje furnizojnë me ujë mbi një miliard persona”, tha ai. “Kur ato tkurren, tkurret edhe rrjedha e lumenjve”.
Në dekadën e fundit, akullnajat në Nepal janë shkrirë 65 për qind më shpejt sesa në dekadën paraprake, tha Guterres, i cili po qëndron në një vizitë katërditore në Nepal.
Akullnajat në vargmalet në Himalaje dhe Hindu Kush janë kyçe si burim i ujit për rreth 240 milionë banorë që jetojnë në rajonet malore, por edhe për 1.65 miliard banorë të tjerë në zonat e tjera në Azinë Jugore dhe Juglindore.
Shkencëtarët kanë thënë se akullnajat në Nepal po shkrihen më shpejt sesa më herët për shkak të ndryshimeve klimatike, duke i ekspozuar komunitetet ndaj fatkeqësive të paparashikueshme dhe të kushtueshme.
“Unë jam këtu sot në tavanin e botës për të thënë: ndaloni çmendurinë”, tha Guterres gjatë vizitës në fshatin Siangboçe, teksa në prapavijë shihej mali më i lartë në botë, Everest.
“Ne duhet t’i japim fund epokës së përdorimit të karburanteve fosile”, shtoi ai.
Bota është ngrohur me një mesatare prej pothuajse 1.2 gradë Celsius që nga vitet 1800, duke shkaktuar mot ekstrem, përfshirë valë intensive të të nxehtit dhe thatësira të mëdha.
Më të goditurit nga moti ekstrem janë banorët në shtetet më të varfra të botës të cilat kanë bërë pak për të kontribuar në uljen e emetimeve të karburanteve fosile, që po rrisin temperaturat.
“Ne duhet të veprojmë tani që të mbrojmë njerëzit dhe të ndalim që temperaturat globale të rriten në 1.5 gradë Celsius. Bota nuk mund të presë”, tha Guterres./rel
Haziri në 35-vjetorin e LDK-së: Kjo familje e Rugovës ia dha...
Isak, objektiv i gjigantit francez
Eskalon situata mes Xuxit dhe Gresës, e lagin njëri-tjetrin ...
Policia në kërkim të dy të dyshuarve për vjedhje në Graçanic...
“Kjo dëshiron që unë të them kam pëlqim për të”, Driloni fle...
Rama: Qendra Kulturore Kombëtare për Fëmijë po rilind me një...