Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres shprehu shqetësim të hënën se bota nuk është në rrugën e duhur për të përmbushur disa objektiva urgjente në luftën kundër ndryshimit të klimës.
“Bazuar në angazhimet e tanishme të shteteve anëtare, bota është në një trajektore katastrofike të ngrohjes deri në 2.7 gradë [Celsius], në vend të 1.5 që ne të gjithë u pajtuam se duhet të jetë kufiri”, u tha zoti Guterres gazetarëve. “Shkenca na thotë se çdo gjë mbi 1.5 gradë do të ishte një katastrofë”.
Për të arritur nivelin 1.5 gradë, OKB-ja thotë se kombet më të pasura duhet sigurojnë fonde prej 100 miliardë dollarësh në vit, nga tani deri në vitin 2025.
Emetimet e gazrave serë gjithashtu duhet të shkurtohen me gati gjysmën deri në vitin 2030, për t’i mundësuar vendeve të arrijnë neutralitetin e karbonit brenda objektivit të caktuar – vitit 2050. Kjo përfshin punën e vështirë për t’i bërë vendet të heqin dorë gradualisht nga termocentralet ndotëse me qymyr.
“Aty ku besoj se ka ende një rrugë të gjatë për të bërë është në lidhje me zvogëlimin e emetimeve”, tha zoti Guterres.
Gati 80% e emetimeve janë nga vendet e G-20ës.
Konferenca e rishikimit, COP26
Në nëntor, vendet do të takohen në Glasgow, të Skocisë, për një konferencë të rëndësishme klimatike për të rishikuar përparimin në angazhimet e marra që nga Marrëveshja e Klimës e Parisit në vitin 2015.
Të hënën, zoti Guterres organizoi së bashku me kryeministrin britanik Boris Johnson një takim të vogël të vendeve kryesore përpara konferencës. Zoti Guterres dhe zoti Johnson kanë ngritur të dy alarmin se konferenca e rishikimit, e njohur si COP26, nuk mund të dështojë dhe se nevojiten angazhime ambicioze.
“Unë mendoj se Glasgow – COP26 është një pikë kthese për botën”, u tha zoti Johnson gazetarëve. “Është një moment kur duhet të rritemi dhe të marrim përgjegjësitë tona”.
OKB-ja thotë se gjysma e financimit publik për klimën prej 100 miliardë dollarësh duhet të shkojë për përpjekjet e përshtatjes së vendeve në zhvillim.
Zoti Guterres shprehu shqetësimin se përparimi në këtë drejtim nuk ka qenë i mjaftueshëm. Edhe pse ai vuri në dukje disa lëvizje, përfshirë angazhimet e reja nga Suedia dhe Danimarka të hënën.
“Unë besoj se ky 50%-sh mund të zërë vend, por ne ende nuk jemi në atë pikë”, tha ai.
“Është bota në zhvillim ajo që po vuan pjesën më të madhe të ndryshimeve katastrofike të klimës në formën e uraganeve, zjarreve dhe përmbytjeve, dhe me dëmin real afatgjatë ekonomik me të cilin ata përballen”, tha zoti Johnson. “E megjithatë, është bota e zhvilluar ajo që mbi 200 vjet ka vendosur karbonin në atmosferë që po shkakton këtë përshpejtim të ndryshimit të klimës. Dhe kështu vërtet na takon neve t’i ndihmojmë”.
Aktivistët e aksionit për klimën thonë se nuk është zbatimi i fondeve që po pengon progresin e shpejtë.
“Pandemia ka treguar se vendet mund të mobilizojnë me shpejtësi triliona dollarë për t’iu përgjigjur një emergjence – është e qartë se bëhet fjalë për vullnet politik”, tha Nafkote Dabi, drejtues për Politikën Globale të Klimës në Oxfam International. “Le të jemi të qartë, ne jemi në një emergjencë klimatike. Ajo po bën kërdinë në të gjithë globin dhe kërkon të njëjtën vendosmëri dhe urgjencë”./voa/
Hoti: Serbia nuk dëshiron zbatimin e deklaratës për të zhduk...
Haradinaj beson në lirimin e bashkëluftëtarëve që po gjykohe...
Një bullgar i akuzuar për spiunazh për Rusinë “kishte diskut...
Xheneta ngacmon Drilonin teksa pastronte në kuzhinë, pastaj ...
Shqipëria pranohet si Vëzhguese në Rrjetin Evropian të Admin...
Kush do të largohet e kush “rikthehet”? Sonte ju pret një pr...