Guardian: Serbia është kthyer në një “portë” për rusët e pasur që duan të hyjnë në Europë

00:00 | 12 Mars 2022
Trina Galanxhi

Rusët e pasur po përdorin Serbinë për t’u “arratisur” në Europë, përmes një “dere të vogël”, duke anashkaluar ndalimin e fluturimeve të Bashkimit Europian drejt dhe nga Rusia.

Air Serbia, e cila është në pronësi të shumicës shtetërore, thuhet se ka dyfishuar numrin e fluturimeve të saj direkte nga Moska në Beograd, shkruan Guardian, transmeton portal arbresh.info

Gazeta britanike kujton se Serbia nuk është anëtare e BE-së dhe se ka refuzuar të vendosë sanksione ndaj Rusisë, por avionët e saj mund të hyjnë në hapësirën ajrore të BE-së.

Kështu, ky vend në Ballkan është bërë “i vetmi korridor ajror europian i hapur ndaj Rusisë”, njoftoi kompania e analizave të udhëtimit Forward Keys, raporton Guardian.

Kapaciteti i vendeve në fluturimet ndërmjet Rusisë dhe Serbisë u rrit me 50 për qind në javën e parë të marsit krahasuar me javën para hyrjes së tankeve ruse në Ukrainë, tha kompania, duke shtuar se një rritje e mëtejshme e kapacitetit është planifikuar gjatë javëve të ardhshme.

“Është për t’u habitur se sa shpejt Rusia është kthyer në një portë për të udhëtuar mes Rusisë dhe Europës”, tha Olivier Ponti, nënkryetar i Forward Keys.

Rusët që vijnë në Serbi vazhdojnë udhëtimin e tyre për në Europë, ndërsa destinacionet e metëjshme të tyre janë Qipro, Franca, Zvicra dhe Italia.

Rusët po udhëtojnë edhe në Mbretërinë e Bashkuar, Slloveni, Austri, Gjermani dhe Spanjë, shkruan Guardian.

Në momentin e shkrimit, shton gazeta, ka mbetur vetëm një vend në klasën e biznesit në fluturimin e nesërm nga Moska në Beograd me një çmim prej gati 700 eurosh, ndërkohë që nuk ka më vende në klasën ekonomike./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme