Grupi bask Eta u kërkon falje viktimave para shpërbërjes

11:04 | 20 Prill 2018
Arbresh.info

Organizata e armatosur baske Eta ka kërkuar falje nga viktimat e saj të konfliktit dekadësh për pavarësi, vetëm disa ditë para njoftimit për shpërbërje.

Grupi kërkoi ‘ndjesë’ për vrasjen e njerëzve që nuk kishin pjesëmarrje direkt në konflikt, transmeton portali arbresh.info.

Qeveria e Spanjës tha se Eta është mundur politikisht dhe operacionalisht dhe nuk kishte arritur asnjë nga qëllimet e saj.

Eta ka vrarë rreth 800 persona dhe plagosur mijëra të tjerë në konfliktin 40-vjeçar.

Grupi, që kishte nisur një fushatë të përgjakshme për pavarësi në shtatë rajone të Spanjës veriore dhe jug-perëndim të Francës, pritet të shpërbëhet në fillim të muajit maj.

Eta kreu shumë sulme duke përfshirë atë që vrau kryeministrin spanjoll Luis Carrero Blanco në vitin 1973

“Ne jemi të vetëdijshëm që gjatë kësaj periudhe të gjatë të konfliktit të armatosur, ne kemi shkaktuar shumë dhimbje, përfshirë shumë dëme për të cilat nuk ka zgjidhje”, tha grupi në një deklaratë të publikuar në dy gazeta baske.

“Ne duam të tregojmë respekt për të vdekurit, të plagosurit dhe viktimat e shkaktuara nga veprimet e ETA-s. Ne kërkojmë falje sinqerisht”, thuhet më tej, duke pranuar përgjegjësi të drejtpërdrejt në “vuajtjet joproporcionale” në vendin bask.

Grupi gjithashtu tha se ishte i angazhuar për të ecur përpara me procesin e pajtimit në vendin bask, përcjell arbresh.info.

Në shtator 2010, grupi njoftoi se nuk do të kryejë sulme të mëtejshme dhe deklaroi një armëpushim të përhershëm në janar 2011.

Eta u shfaq së pari në vitet 1960 si një lëvizje e rezistencës studentore kundër qeverisë së ashpër të diktaturës ushtarake të Gjeneral Frankos.

Nën Franko, gjuha baske u ndalua, kultura e tyre dalluese u shtyp dhe intelektualët burgoseshin dhe torturoheshin për bindjet e tyre politike dhe kulturore.

Vdekja e gjeneralit Franko në vitin 1975 dhe kalimi në demokraci solli rend në rajonin prej dy milionë banorësh.

Shumë nga ata që u vranë ishin anëtarë të forcës policore kombëtare të Spanjës, Garda Civile, si dhe politikanët lokalë dhe kombëtarë, të cilët ishin kundër kërkesave separatiste të Eta./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme