Drejtori i Agjencisë mbikëqyrëse bërthamore të Kombeve të Bashkuara arriti në Rusi për bisedime lidhur me sigurinë bërthamore në Ukrainë, ku centrali më i madh bërthamor në Evropë është në rrezik nga luftimet.
Shefi i Agjencisë Ndërkombëtare Bërthamore, Rafael Grossi, ka shkuar në Soçi të Detit të Zi, raportuan mediat ruse. Në fillim të javës, Grossi kishte njoftuar se do të vizitonte Rusinë.
Kremlini ka konfirmuar se presidenti rus, Vladimir Putin, do të takohet me Grossin në Soçi.
Grossi vizitoi Ukrainën në shkurt dhe kaloi vijën e frontit për të vizituar centralin bërthamor të Zaporizhjës, që është nën kontrollin rus. Vizita në këtë uzinë ishte pjesë e përpjekjeve të agjencisë së OKB-së për të parandaluar një katastrofë bërthamore për shkak të armiqësive që po vazhdojnë. Gjatë kësaj vizite, ai u takua me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Grossi për herë të fundit ishte takuar me Putinin në tetor të vitit 2022.
Gjatë një prononcimi në Vjenë, ai tha se për të është e rëndësishme që të ketë dialog me të dyja palët, por shtoi se situata në centralin më të madh bërthamor, Zaporizhja, “vazhdon të jetë shumë e brishtë”.
Grossi tha se në Rusi pret që të diskutohet për “çështjet teknike” që lidhen “me statusin e ardhshëm operacional të uzinës”. Ai po ashtu tha se do të diskutojë për mundësinë e rikthimit në funksion të gjashtë reaktorëve të Zaporizhjës dhe çfarë masa të sigurisë duhet të ndërmerren për këtë.
Agjencia e OKB-së për Energji Bërthamore vazhdimisht ka ngritur alarmin për situatën në centralin e Zaporizhjës nga frika se mund të shkaktohet një katastrofë bërthamore. Centrali vazhdimisht ka qenë nën zjarr që kur Rusia dërgoi trupat në Ukrainë më 24 shkurt 2022 dhe pak kohë pas kësaj mori nën kontroll uzinën bërthamore.
Gjashtë reaktorët e uzinës ka muaj që janë larguar nga funksioni, por uzinës i duhet energji dhe staf i kualifikuar për të operuar me sistemet e ftohjes./rel/
Hamzën në Hannover dhe Köln: Kosova është shtëpia jonë e për...
Vazhdojnë paraqitjet e mira të Zhegrovës – shpallet lojtari ...
Osmani: Kosova dhe Kanadaja do ta fillojnë Programin e Bashk...
Haradinaj: Kosova direkt në NATO, është kthesa e madhe për K...
Erdogan synon rritjen e tregtisë me Rusinë
Incidentet në takimin e Ramës me shqiptarët e Britanisë, një...