Danimarka paralajmëron Presidentin e zgjedhur Trump se Groenlanda nuk është në shitje, por kërkon bashkëpunim për sigurinë në Arktik
Rusia ndërkaq thotë se po vëzhgon nga afër situatën me Groenlandën, pasi Presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump nuk përjashtoi masat ushtarake ose ekonomike për të marrë ishullin nën kontroll. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, tensionet gjeopolitike po rriten në rajonin e Arktikut mes ngrohjes së shpejtë globale.
Groenlanda është vënë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. Ishulli në Arktik është një territor i Mbretërisë së Danimarkës, por që gëzon një autonomi të gjerë.
Presidenti i zgjedhur Donald Trump këtë javë nuk përjashtoi përdorimin e forcës ushtarake ose masat ekonomike për të marrë ishullin nën kontroll. Sipas tij, kjo është e nevojshme për të mbrojtur botën e lirë.
“Ne po vëzhgojmë këtë zhvillim mjaft dramatik të situatës, por deri më tani, falë Zotit, ajo mbetet në nivel deklaratash”, u tha gazetarëve të enjten zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.
Ndryshimet mjedisore po hapin rrugë të reja transporti dhe qasje në burime të vlefshme, thotë Liana Fix nga Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë.
“Po bëhet një zonë gjithnjë e më shumë e militarizuar, ku kanë qasje jo vetëm fqinjët e Arktikut. Rusët ishin të parët që u pozicionuan aty, ndërsa tani gjithashtu bashkëpunojnë me rojet bregdetare kineze. Arktiku po bëhet gjithnjë e më shumë një zonë konkurrence dhe rivaliteti mes fuqive të mëdha. Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se po e humbin këtë lojë”, thotë zonja Fix.
Danimarka thotë se Groenlanda nuk është në shitje, por është e hapur për bashkëpunim më të thellë me Shtetet e Bashkuara.
“Unë shoh se Presidenti, që do të marrë detyrën së shpejti, ka vëmendjen e përqëndruar në Arktik dhe unë këtë e kuptoj. Këtë vëmendje e kemi shtuar edhe ne nga pala daneze, e kemi edhe brenda NATO-s”, thotë ministri i jashtëm danez Lars Lokke Rasmussen.
Udhëheqës të tjerë evropianë kundërshtuan komentet e zotit Trump.
“As që bëhet fjalë që Bashkimi Evropian të lejojë cilindo vend në botë dhe më lejoni të them duke filluar nga Rusia të përcaktojë kufijtë e tij sovran”, tha ministri i jashtëm francez Jean Noël Barrot.
“Parimi i paprekshmërisë së kufijve vlen për çdo vend, pavarësisht nëse është në lindje apo në perëndim”, thotë kancelari gjerman Olaf Scholz.
Qeveria e Groenlandës, ndërkohë, po bën trysni për mbajtjen e referendumit për pavarësi të plotë dhe thotë se vetëm banorët e saj do të vendosin të ardhmen e ishullit./AP/
Sveçla: Sot Kryeministri Kurti shpalli vitin 2025 si vitin e...
‘Zjarr’ në shtëpinë e BBVK, “Vëllai i Madh” ka vendosur që t...
Zelensky: Ne duam t’i japim fund konfliktit me Rusinë në vit...
Slot shpjegon arsyen pse Chiesa nuk po luan te Liverpooli, n...
BQK dhe Banka e Italisë me marrëveshje për projektin për pag...
Bedri Hamza para futbollistëve premton mbështetje për shkoll...