Këtë vit, Greqia po e dyfishon numrin e zjarrfikësve në njësitë e specializuara, duke e rritur atë në 1.300, si dhe po miraton përdorimin e taktikave të SHBA-së në luftimin e zjarreve masive.
Anëtarët e njësive të reja të specializuara në Greqi përfshijnë ekspertë të pylltarisë dhe zjarrfikës me aftësi të ndryshme, që po zhvillojnë trajnime me homologët e tyre në Francë, Spanjë dhe SHBA.
Sezoni i zjarreve në Greqi fillon zyrtarisht më 1 maj, por dhjetëra zjarre tashmë janë shuar gjatë muajve të fundit pasi temperaturat filluan të arrijnë deri në 30 gradë Celsius në fund të marsit – dukshëm më të larta sesa në të njëjtën periudhe të viteve të kaluara.
E financuar kryesisht nga Bashkimi Evropian, Greqia ka nisur një program 2.1 miliardë eurosh për të përmirësuar kapacitetin e saj të reagimit ndaj katastrofave, duke porositur avionë të rinj që hedhin ujë, dronë, kamionë, objekte trajnimi dhe një rrjet sensorësh të drejtuar nga inteligjenca artificiale që zbulojnë shenjat e hershme të tymit dhe përmbytjeve.
Por, pajisjet e reja nuk do të fillojnë të vijnë deri në vitin 2025.
Ndërkohë, autoritetet greke po dyfishojnë numrin e trajnimeve për metodat e reja të shuarjes së zjarreve, në prag të atij që pritet të jetë një tjetër sezon i vështirë këtë vit.
Zjarret dogjën rreth 1.750 kilometra katrorë vitin e kaluar, përfshirë një zjarr masiv në Greqinë veriore që ishte zjarri më i keq i regjistruar ndonjëherë në Bashkimin Evropian.
Për shkak të terrenit gjeogragik, Greqia përballet vit pas viti me probleme në mbrojtjen e vendbanimeve të shumta urbane në zonat e pyllëzuara në rrezik zjarri.
E, me kalimin e viteve, edhe temperaturat janë rritur. Dimri i kaluar ishte më i ngrohti që nga fillimi i regjistrimeve moderne në vitin 1960, sipas Observatorit Kombëtar të Athinës, i cili analizoi të dhënat satelitore të Bashkimit Evropian. Gjashtë dimrat më të ngrohtë të regjistruar në Greqi kanë ndodhur në dekadën e fundit.
Të dhënat e reja zbulojnë se Evropa është kontinenti me ngrohjen më të shpejtë në botë, pasi që temperaturat e saj rriten afërsisht për dyfishin e mesatares globale./REL/
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...