Greqia e shqetësuar për “Serbinë e hidhëruar me marrëdhëniet Maqedoni – Kosovë”

23:04 | 22 Gusht 2017
Arbresh.info

Diplomatët grekë janë shqetësuar për zhvillimet e fundit në Ballkan pasi Serbia tërhoqi tërë stafin e vet nga ambasada e saj në Shkup.

Gazeta online Kathimerini thekson se Beogradi duket i zemëruar, sepse Shkupi po përmirëson marrëdhëniet me Prishtinën.

Kjo gazetë vlerëson se mosmarrëveshja erdhi në momentin kur Maqedonia është duke u përpjekur për të ringjallur kandidaturën e vet për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian dhe në NATO, transmeton Koha.net.

Gazeta greke kujton se kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka formuar një qeveri koalicioni me shqiptarët në qershor, gati gjashtë muaj pas zgjedhjeve.

Qeveria maqedonase njoftoi më parë se kur të vendoset për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, ajo do të marrë parasysh pikëpamjet e shumicës së vendeve të BE-së, edhe pse Zaev më herët kishte thënë se Shkupi do të jetë neutral në votim.

Sot, sipas Kathimerinit, “makfax” njoftoi se Qeveria e Maqedonisë ka përgatitur një propozim për të mbështetur anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, duke shtuar se kjo është një arsye pse Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë ka tërhequr stafin e ambasadës në Shkup në konsultime urgjente në Beograd.

 

Të ngjashme