Greqia dhe Turqia ranë dakord të enjten të ripërtërijnë marrëdhëniet, duke paraqitur një plan për një një epokë të re lidhjesh më të ngushta mes dy vendeve që janë aleatë të NATO-s por që kanë pasur një rivalitet historik.
Në një vizitë historike në Greqi, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, ranë dakord që të përqëndrohen tek politika e fqinjësisë së mirë, të mbajnë rrugë të hapura komunikimi, të shmangin burimet e tensionit, të rrisin këmbimet tregtare dhe të punojnë për të zgjidhur çështjet e hapura, veçanërisht në detin Egje.
“Nuk ka asnjë çështje mes nesh që është e pazgjidhshme, për sa kohë përqendrohemi tek temat e rëndësishme dhe nuk përfundojmë si ata që arrijnë të përshkojnë detin dhe mbyten në lumë,” tha zoti Erdogan pas një takimi me kryeministrin Mitsotakis në Athinë.
“Ne duam ta kthejmë Egjeun në një det paqeje. Me hapat e përbashkët që do të ndërmarrim si Turqi dhe Greqi, duam të jemi shembull për botën,” shtoi ai.
Pas polemikave të shpeshta gjatë viteve të fundit, marrëdhëniet e ftohta midis dy fqinjëve u zbutën ndjeshëm pasi Greqia dërgoi me shpejtësi ndihma pas një tërmeti shkatërrues në Turqi në shkurt.
Takimi i kryeministrit Mitsotakis dhe presidentit Erdogan vazhdoi më gjatë se sa ishte parashikuar dhe u shoqëruar me nota të ngrohta. Zoti Mitsotakis iu drejtua zotit Erdogan si “I dashur Tajip”.
Aleatët e NATO-s duan të rrisin vëllimin e tregtisë së ndërsjellë nga 5 miliardë në 10 miliardë dollarë, ndërsa zoti Erdogan sugjeroi që dy vendet të mbajnë takime të përvitshme të nivelit të lartë, nga të cilat ai tha se do të përfitonin të dyja palët.
‘PËRGJEGJËSI HISTORIKE’
“Gjeografia dhe historia kanë diktuar që ne të jetojmë pranë njëri-tjetrit … Por ndjej një përgjegjësi historike për të shfrytëzuar këtë mundësi për t’i bërë marrëdhëniet tona po aq të afërta sa ç’janë kufijtë tanë,” tha zoti Mitsotakis.
Prej kohësh, Greqia dhe Turqia kanë pasur mosmarrëveshje për disa çështje, përfshirë kufijtë ujorë, burimet e energjisë, fluturimet mbi detin Egje dhe ishullin e ndarë të Qipros.
Por të dy vendet po sinjalizojnë se janë të gatshëm të përmirësojnë marrëdhëniet e tyre.
Turqia ka më shumë se dy dekada që synon anëtarësimin në BE. Që kur u rizgjodh në maj në një votim të ngushtë mes një krize ekonomike, zoti Erdogan ka thënë se Turqia mbetet e përkushtuar për të përmirësuar marrëdhëniet me partnerët dhe aleatët e saj perëndimorë.
Ankaraja ka bërë përpjekje për të tërhequr investitorët e huaj, ndërkohë që punon për të lënë pas tensionet me aktorët rajonalë dhe perëndimorë, një çështje që ka ndikuar prej kohësh në ekonominë turke.
Pas një krize borxhi që tronditi zonën e euros, Greqia synon të rifitojë pozicionin e saj dhe të shfaqet si një faktor kyç stabiliteti në Mesdheum lindor në një mjedis gjeopolitik që ka ndryshuar për shkak të luftës në Ukrainë dhe konfliktit të Gazës.
Të enjten, Greqia rivendosi një sistem automatik të vizave për shtetasit turq për të vizituar 10 nga ishujt e saj. Zoti Mitsotakis tha se dialogu do të vazhdojë. Me një ton optimist, zoti Erdogan tha se Turqia dhe Greqia duhet të përqendrohen tek aspektet pozitive të marrëdhënieve mes tyre dhe jo tek ato negative./voa
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...