Greqi, zgjatet edhe për një javë karantina nga COVID-19

16:34 | 3 Dhjetor 2020
Arbresh.info

Greqia do të zgjatë edhe për një javë karantinën e përgjithshme e cila ishte njoftuar se do të vazhdonte deri më 7 dhjetor për shkak të koronavirusit të ri (COVID-19).

Zëdhënësi i Qeverisë së Greqisë, Stelyo Petsas, në një konferencë për media foli lidhur me situatën dhe masat për pandeminë e COVID-19.

“Karantina e përgjithshme e parashikuar të vazhdonte deri më 7 dhjetor dhe ndalesa e daljes në rrugë që zbatohet në orarin 21:00-05:00 do të zgjatet deri më 14 dhjetor në orën 06:00”, tha Petsas, i cili shtoi se ky vendim është marrë për shkak të vazhdimit të intensitetit të pandemisë.

Petsas tha se pavarësisht se është në rënie numri i rasteve në vend, kjo rënie është më e ngadaltë se pritshmëritë.

“Në situatën aktuale numri i personave që dalin nga spitali është më i lartë sesa numri i të sëmurëve të rinj që shtrohen në spitale”, nënvizoi Petsas, duke shtuar se bashkë me këtë është ende nën presion intensiv kapaciteti i spitaleve kryesisht në qytetet veriore, përfshirë edhe Selanikun.

Ai vuri në dukje se që nga 7 dhjetori do të lejohet hapja vetëm e dyqaneve stinore me pakicë përfshirë edhe bizneset që shesin zbukurime për krishtlindje.

Sipas të dhënave që publikoi dje Institucioni Kombëtar i Shëndetit Publik i Greqisë, u njoftua se numri i personave të prekur me COVID-19 që janë të lidhur me pajisjen e respiratorit në vend është rritur në 613.

Po ashtu në vend dje u shënuan 2.186 raste të reja ndërsa 89 persona humbën jetën për shkak të koronavirusit.

Që nga fillimi i pandemisë e deri tani në Greqi janë regjistruar 109.655 raste dhe 2.606 vdekje./AA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme