Hulumtimet e fundit në Greqi kanë treguar se numri i shtetasve grekë është ulur, ndërsa popullsia e huaj është rritur.
Rezultatet e hulumtimit tregojnë se plakja e popullsisë në përgjithësi mund të ketë pasoja negative për sistemin e pensioneve dhe shëndetësisë duke shtuar se problemi mund të zgjidhet duke integruar emigrantët në jetën ekonomike dhe sociale.
Sipas të dhënave të mbledhura nga gazetari i Anadolu Agency (AA) nga raporti “Kontributi i të huajve në rritjen natyrore të Greqisë (2009-2020)”, publikuar së bashku nga Vironas Kocazamanis, pedagog në Universitetin e Thesalisë dhe Anastasia Kostaki, pedagoge në Universitetin e Athinës, numri vjetor i vdekjeve është më i lartë se numri i lindjeve që nga viti 2010 dhe popullsia e Greqisë është vazhdimisht në rënie.
Ndërsa numri i të huajve që jetonin në vend në vitin 1991 ishte rreth 200 mijë, kjo shifër, e cila është rritur me shpejtësi gjatë 30 viteve të fundit, llogaritet të ketë arritur në rreth 900 mijë.
Studimi, i cili tregon grafikisht vdekshmërinë dhe lindshmërinë për periudhën 2004-2020, thekson se shkalla e vdekshmërisë së popullsisë greke në vend në këtë periudhë ishte më e lartë se numri i lindjeve ndërsa situata është krejtësisht e kundërt tek të huajt.
Në periudhën 2009-2020, numri i të huajve, popullsia e të cilëve varion nga 810 mijë deri në 940 mijë në numrin e përgjithshëm të popullsisë përbën 7.4 deri në 8.4 për qind.
Nëse shikojmë moshën mesatare në këtë periudhë, është e rëndësishme të theksohet se mosha mesatare e të huajve është midis 32.2-33.7 vjeç, ndërsa mosha mesatare e grekëve është nga 42.6 deri në 45.5 vjeç.
Numri i përgjithshëm i popullsisë është ulur me 252.163 në periudhën 2009-2020.
Tek shtetasit e huaj, mosha mesatare dhe lindshmëria janë më të larta se te shtetasit grekë.
“Kontributi i të huajve ishte mjaft domethënës. Meqenëse numri i vdekjeve është më i madh se i lindjeve në shoqëri, ata kufizuan rënien e popullsisë”, thuhet në studim.
– Problemi demografik “bombë e kurdisur”
Duke folur në një konferencë me temë “Demografia – një problem i madh” në qershor, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis iu referua problemeve që mund të shkaktojë rënia e popullsisë në sistemin e pensioneve dhe paraqiti të dhëna nga kërkimet mbi këtë temë.
Mitsotakis aso kohe tha se nuk ishte rastësi që ekspertët e krahasuan problemin demografik me një “bombë të kurdisur”.
“Kronometri i saj është një bombë që aktivizohet shpejt dhe ne duhet ta çaktivizojmë me kohë, me hapa që i kthejnë shqetësimet legjitime në një nismë të orientuar drejt synimeve”, tha kryeministri grek.
Duke theksuar se numri i qytetarëve ekonomikisht aktivë është ulur, Mitsotakis tha se plakja e popullsisë mund të ketë pasoja negative në sigurimet shoqërore dhe sistemin shëndetësor.
Siç tha ai, popullsia greke është zvogluar me rreth 450 mijë në 10 vite pas vitit 2011, kryesisht për shkak të diferencës në numrin e vdekjeve dhe lindjeve dhe për shkak të ikjes së trurit gjatë krizës së thellë ekonomike.
Mitsotakis theksoi se nëse nuk merren masa, popullsia e Greqisë mund të bie nën 9 milionë në vitin 2050 dhe se çdo i treti person do të jetë më i vjetër se 65-vjeç dhe se për këtë arsye shteti duhet të ndërmarrë qasje gjithëpërfshirëse ndaj këtij problemi.
Ai theksoi se migrantët e rregullt mund të jenë pjesë e zgjidhjes së problemeve të nevojave të fuqisë punëtore dhe rënies së popullsisë në procesin e prodhimit në vend.
Sipas të dhënave të popullsisë të publikuara nga Instituti i Statistikave të Greqisë (ELSTAT) në vitin 2011, popullsia rezidente e vendit ishte 10.816.286. Mosha mesatare e popullsisë, nga e cila 51 për qind janë gra, ishte 41.9 vjeç.
Më shumë se gjysma e të huajve që jetojnë në Greqi janë me origjinë shqiptare ndërsa pjesa tjetër janë të huaj kryesisht me origjinë bullgare, rumune, pakistaneze dhe gjeorgjiane.
Jetëgjatësia mesatare në Greqi është 82 vjet.
Aeroplani bie në qendër të qytetit Gramado në Brazil, 10 per...
Real Madridi shënon fitore të madhe ndaj Sevillës, ngritët n...
Ftohtë dhe reshje borë, parashikimi i motit për pesë ditët e...
”Ti je ma rrugaçe se unë”, Përplasen sërish Driloni e Xhenet...
Aksident mes tri automjeteve në Prishtinë, lëndohen dy perso...
Masar Omeragiq presidenti i ri i Federatës së Futbollit në M...