Në kohën kur brenda Parlamentit grek, Qeveria “Tsipras” po përballej me opozitën në debatin për votimin e masave shtrënguese që duhet të marrë Greqia me qëllim marrjen e dorëzanisë së radhës prej FMN-së dhe Bashkimit Europian, mijëra grekë protestonin jashtë godinës kundër këtyre masave.
Protestuesit e udhëhequr prej sindikatave kërkuan prej ligjvënësve grekë që të mos i votojnë ato, me gjithë kërcënimin e “Trojkës” se nëse masat shtrënguese nuk votohen, atëherë programi i ndihmës për Greqinë nuk do të vazhdojë dhe vendi do të përballet me një “Grexit” të mundshëm.
Sindikatat thonë se programi i masave nuk do të funksionojë dhe taksat që qeveria do t’iu shtojë grekëve do t’i sjellin vendit recesion. Sindikalistët këmbëngulin se ka mundësi të tjera, veç taksave, për t’i dhënë shtysë ekonomisë greke që ndodhet në kolaps të plotë.
Por qeveria e Alexis Tsipras beson se presioni që po bëjnë kreditorët nuk lë shumë shpresë për lehtësim të politikave të diktuara prej FMN-së dhe Bashkimit Europian. Si kundërpeshë, qeveria thotë se ka një plan masash lehtësuese për shtresat në nevojë.
Gjatë protestës së mbrëmjes në sheshin “Sindagma” të Athinës, një grup prej 150-200 protestuesish hodhën bomba molotov dhe sende të forta kundër forcave të rendit, të ngarkuara me ruajtjen e rendit.
Manisë shkatërruese të ekstremistëve anarkistë nuk i shpëtoi as “post-roja” e rojeve presidenciale “Evzoneve”, ku si pasojë e sulmit me molotovë një prej tyre mori flakë dhe u shkatërrua plotësisht.
Për fat, pak minuta më herët, rojet presidenciale ishin larguar, duke shmangur një tragjedi, por edhe turpërim publik të vendit, pasi rojet presidenciale janë forca ushtarake më e respektuar në vend.
Pamjet e sulmit mbi godinën e “Evzoneve” greke jashtë Parlamentit në Athinë, tashmë kanë filluar të bëjnë xhiron e botës, gjë që pritet të dëmtojë imazhin e vendit në kulmin e sezonit turistik, industrisë së vetme fitimprurëse që ka aktualisht vendi.
Ndërkohë, në Parlament vazhdon debati. Qeverisë do t’i duhen të paktën 151, nga 153 deputetë që kjo aleancë ka aktualisht. Shumë deputetë të alenacës qeverisëse kanë kërcënuar se nuk do t’i votojnë ato, por kryeministri Alexis Tsipras iu ka vënë atyre përballë dilemën: ose votojnë pro masave shtrënguese për vazhdimin e programit, ose vendi përballet me zgjedhje të parakohshme, pasojat e të cilave do të jenë katastrofike për koalicionin “Syriza-Anel”, të cilin sondazhet e nxjerrin të paktën 12-15% prapa konservatorëve të “Demokracisë së Re” të udhëhequr prej Kyriakos Mitsotakis.
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...
Kërcënime me bomba në dhjetëra shkolla në Gjermani
Çdo 10 minuta, në botë vritet një grua
Trajneri i Empolit i frikësohet një largimi të mundshëm të I...
Lëshohet në qarkullim pulla postare që lufton dhunën kundër ...