Greqi, nisin procedurat për ratifikimin e Marrëveshjes

16:43 | 21 Janar 2019
Arbresh.info

Marrëveshja e Prespës ka hyrë në procedurat e Kuvendit grek, ndërsa të enjten do të votohet për ratifikimin e saj. Burime nga Kuvendit grek thonë se debati do të fillojë të mërkurën në ora 10 sipas orës lokale, ndërsa ora e saktë e mbylljes do të varet nga interesi i deputetëve për të diskutuar.

Nëse numri i deputetëve të interesuar do të jetë i madh, debati mund të zgjasë edhe deri pas mesnate. Vendimi i këtillë vjen pas takimit të krye parlamentarit grek Nikos Vucis me nënkryetarët. Ndërkohë në prag të votimit të së enjtes largimin nga partia opozitare greke POTAMI e ka lajmëruar edhe deputeti Jorgos Amiras, i cili ka njoftuar se do ta mbështesë Marrëveshjen.

Ai ka thënë se këtë e ka bërë për shkak se nuk pajtohet me qëndrimet e përfaqësuesve të partisë së tij lidhur me Marrëveshjen e Prespës. Ndërkohë porosi që Greqia ka përgjegjësi ta ratifikojë Marrëveshjen e arritur mes Shkupit dhe Athinës, ka dërguar edhe ndërmjetësi i OKB-së Metju NImic. Në një deklaratë në Nju Jork, Nimic, kërkoi që të bëhen hapat e tjerë për zbatimin e marrëveshjes së Prespës. Ai ka nënvizuar se ka marrë një kopje të Notës Verbale që Qeveria e Maqedonisë i ka dërguar asaj të Greqisë, për ta informuar se ka përfunduar nga ana e saj procedurat e nevojshme kushtetuese për hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Prespës.

Një ditë më parë opozita greke në shenjë kundërshtimi të Marrëveshjes midis Maqedonisë dhe Greqisë, protestoi rrugëve të Athinës. Në këtë protestë sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme greke, kanë marrë pjesë rreth 60 mijë protestues. Protesta në momente u përshkallëzua gjë që çoi në përplasjen e protestuesve me policinë, ndërsa kjo e fundit u desh të përdorte gazin lotsjellës për të shpërndarë turmën. Sipas të dhënave të fundit, në këtë protestë së paku 40 persona janë lënduar prej të cilëve 25 policë, një fotoreporter dhe një xhirues. 12 vetë janë ndaluar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme