Greqi, 20 refugjatë rezultuan pozitiv me COVID-19 në një kamp

12:20 | 2 Prill 2020
Arbresh Info

Ministria e Migrimit dhe Azilit njoftoi se kampi Ritsona nga e enjtja do të jetë në një karantinë 14-ditore.

Autoritetet greke kanë vendosur në karantinë një kamp refugjatësh në veri të Athinës, pasi 20 refugjatë rezultuan pozitiv me koronavirusin e ri.

Ministria e Migracionit dhe Azilit ka njoftuar se kampi Ritsona do të jetë në një karantinë 14-ditore duke filluar nga e enjtja, gjatë së cilës askush nuk do të lejohet të dalë ose të hyjë në të. Kampi në kushte normale, ishte i një lloji të hapur, banorët lejoheshin të hynin dhe të dilnin sipas dëshirës.

Më tej thuhet se një nga banoret e kampit, e cila ishte shtruar në spital në Athinë për të lindur, ishte pozitive në fillim të javës, kështu që autoritetet shëndetësore filluan të kërkojnë personat me të cilët ishte në kontakt.

Ministria tha se 63 persona u testuan në kamp dhe 20 ishin pozitivë me koronavirus. Po ashtu tha se asnjë prej tyre nuk tregoi simptoma dhe se asnjë nga stafi i kampit nuk ishte pozitiv në testin. Ajo tha se autoritetet planifikojnë të vazhdojnë testimin në kamp të enjten.

Dhjetëra mijëra migrantë dhe refugjatë jetojnë në Greqi, shumë prej tyre në kampe të mbipopulluara në ishujt lindorë grekë. Deri më tani, nuk është raportuar asnjë rast i infeksionit me koronavirus në kampet në ishuj.

Më 11 mars, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e virusit e shpalli “pandemi globale”. Përveç Evropës, OBSH-ja ka shpallur SHBA-të epiqendër e re e pandemisë së koronavirusit, e cila u shfaq për herë të parë në fund të vitit të kaluar në qytetin kinez Wuhan.

Më shumë se 47.200 njerëz kanë vdekur nga COVID-19 në të gjithë botën dhe mbi 935.000 raste të infeksionit të koronavirusit në 200 vende janë konfirmuar, tregojnë të dhënat nga Universiteti amerikan “Johns Hopkins”. Më shumë se 190.000 njerëz janë shëruar deri më tani./AA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme