Gratë e militantëve të ISIS-it kërkojnë të kthehen në Europë

20:00 | 6 Maj 2017
Trina Galanxhi

Militantët e Shtetit Islamik kanë humbur terren në Siri dhe Irak dhe tani qindra gra të reja që u larguan nga shtëpitë e tyre për t’u martuar me luftëtarët e ISIS-it, kërkojnë që të kthehen nëpër shtëpitë e tyre, në Europë.

Njëra ndër to është edhe Sara, shtetase franceze, e cila ka udhëtuar drejt Sirisë kur ishte vetëm 18 vjeç. Ajo u martua me një luftëtarë të ISIS-it dhe lindi një fëmijë, shkruan CBS, transmeton portali arbresh.info.

Tre vite më vonë ai filloi të kishte dyshime rreth vendimit të saj.

Burri i saj është vrarë, ajo është larguar nga ekstremistët dhe dëshiron të marrë fëmijën e saj dhe të kthehet në Francë.

Në një intervistë për CBS ajo ka thënë se dëshiron të harrojë gjithçka dhe t’i kthehet jetës së saj.

Ajo është një nga qindra gra të reja që u larguan nga Europa për t’iu bashkuar militantëve të Shtetit Islamik, shumica prej tyre vetëm adoleshente. Ato u joshën nga premtimet e rrejshme për një jetë romantike në Siri.

Sara dhe vajza e saj që arritën të largoheshin nga Shteti Islamik, janë strehuar nga një grup i moderuar rebel në Sirinë veriore. Por njëri nga liderët, Mohammed Adeeb tha se është vështirë për t’i bindur qeveritë e huaja që t’i pranojnë ato, madje ai ka shtuar se ata as nuk marrin përgjigjje.

Në Paris, lideri i rebelëve është angazhuar që të negociojë me familjen e Sarës në mënyrë që ajo të shkojë në shtëpi, por ajo e di se të gjitha gratë që kthehen nga Siria në Europë përballen me burg.

“Gratë janë në rrezik atje dhe sidomos fëmijët, sepse fëmijët mund të merren nga militantët dhe të radikalizohen. Gjithashtu ata mund të përdoren edhe për sulme vetëvrasëse. Fëmijët duhet të kenë një shans të dytë”, ka thënë ajo.

Rebelët sirianë që kanë strehuar atë, kanë deklaruar se bashkë me të janë strehuar edhe 20 gra të tjera, të gjitha nga vendet perëndimore./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme