Google ADS

Graham: SHBA kërkon praninë evropiane në verilindje të Sirisë

12:42 | 16 Shkurt 2019
Arbresh.info

Senatori amerikan Lindsey Graham tha se presidenti Donald Trump do t’u kërkojë vendeve evropiane të dërgojnë trupa për të krijuar një zonë tampon në Sirinë verilindore përgjatë kufirit jugor të Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Komentet e Graham erdhën në Konferencën e Sigurisë së Munihut në Gjermani.

Duke e quajtur planin si një strategji “post-kalifatit”, ai tha se autoritetet amerikane e kanë diskutuar këtë çështje në detaje me Trump, i cili e ka lënë derën hapur për të lënë një numër të caktuar ushtarësh amerikanë në Siri.

“Shpresoj se presidenti Trump do të vijë tek disa prej jush dhe do të kërkojë ndihmën tuaj dhe ju do të thoni ‘po’, dhe në kthim, aftësia që ne kemi, që është e veçantë për SHBA-në, do të jetë ende në luftën në Siri”, tha Graham në konferencë.

Ai vuri në dukje se Joseph Dunford, kryetari Shtabit të Përgjithsëm të SHBA-së, do të diskutojë me homologët e tij dërgimin e trupave në Siri.

Duke deklaruar se Evropa ka vuajtur nga kërcënimi i DEASH-it, Graham tha se strategjia post-DEASH duhet të jetë ndryshe nga lufta kundër kësaj organizate terroriste.

“Nëse ne nuk kemi një plan të lojës, Turqia do të shkojë në Siri dhe do të merret me kërcënimin e YPG-së”, tha ai.

“Kurdët e YPG-së në sytë e Turqisë janë një degë e PKK-së dhe ata nuk do të tolerojnë YPG-në në kufirin e tyre. Ne i kemi borxh Turqisë si aleat të rregullojmë këtë problem. Ne i detyrohemi SDF-së (Forcave Demokratike Siriane) që të mos largohen dhe të vijë një luftë tjetër që mund t’i shkatërrojë ata. Kush do të na ndihmojë në të ardhmen nëse e bëjmë këtë? Pra, ne kemi nevojë për një zonë të sigurt për t’u marrë me këtë problem. Trupat në atë zonë të sigurt gjithashtu duhet të jenë mbikëqyrëse kundër rishfaqjes së DEASH-it. Nëse nuk mbikëqyrim, Irani do të jetë fituesi më i madh nga tërheqja e Perëndimit nga Siria”, tha ai.

Ushtruesi i detyrës së sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Patrick Shanahan, në adresimet e tij para gazetarëve gjatë takimeve të NATO-s në Bruksel, ka thënë se SHBA do të propozojë formimin e një force vëzhgimi në Sirinë veriore.

Nga ana tjetër, Joseph Votel, kreu i Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), më herët është shprehur për The Wall Street Journal se SHBA mund të lë disa trupa në Siri.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme