Google bllokon llogaritë e ish-qeverisë afgane, pasi talibanët kërkuan email-et

17:18 | 4 Shtator 2021
S D

Reuters raporton se Google ka mbyllur përkohësisht një numër të papërcaktuar të llogarive të postës elektronike të ish-qeverisë afgane, pasi u rrit frika për gjurmë dixhitale të lëna nga ish-zyrtarët dhe partnerët e tyre ndërkombëtarë.

Në një deklaratë të premten, kompania nuk konfirmoi që llogaritë e ish-qeverisë afgane po bllokoheshin, duke thënë vetëm se kompania po monitoronte situatën në Afganistan dhe se do të ndërmerrte veprime të përkohshme për të siguruar llogaritë përkatëse, përcjellë Klankosova.tv.

Kurse një punonjës i ish-qeverisë i tha Reuters se talibanët po kërkojnë të marrin email-et e ish-zyrtarëve. Ai tutje shpjegoi se në fund të muajit të kaluar, talibanët i kishin kërkuar të ruante të dhënat e mbajtura në serverët e ministrisë për të cilën ai punonte.

“Nëse e bëj këtë, atëherë ata do të kenë qasje në të dhënat dhe komunikimet zyrtare të udhëheqjes së ministrisë së mëparshme,” tha punonjësi.

I njëjti tha se nuk i respektoi kërkesat dhe që atëherë është fshehur, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme