“Goditja pas shpine” shtynë bisedimet tregtare midis Australisë dhe BE’së

14:33 | 1 Tetor 2021
arbresh.info

Bisedimet tregtare midis Australisë dhe Bashkimit Evropian u shtynë, për shkak të një grindjeje me Francën mbi të ashtuquajturin pakt të sigurisë Aukus.

Muajin e kaluar, Kanbera anuloi një marrëveshje prej 37 miliardë dollarësh me Parisin, për të ndërtuar një flotë nëndetësesh konvencionale.

Në vend të saj, ajo do të ndërtojë së paku tetë nëndetëse me energji bërthamore, me teknologji të SHBA-së dhe Britanisë.

Vendimi e zemëroi Parisin, i cili e cilësoi paktin midis Australisë, SHBA-së dhe Britanisë si “goditje në shpinë”.

Në solidaritet me Francën, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vuri në dyshim arritjen e një marrëveshjeje tregtare midis BE-së dhe Australisë.

Rundi i 12-të i bisedimeve BE-Australi, i paraparë të mbahet në tetor, u shty për në nëntor.

Në qershor, pas rundit të fundit të bisedimeve për një marrëveshje të tregtisë së lirë, Komisioni Evropian tha se negociatat “kanë shënuar përparim në shumicën e fushave”.

Raundi i ardhshëm i bisedimeve pritet të trajtojë një numër çështjesh, përfshirë: tregtinë, investimet dhe të drejtat e pronësisë intelektuale, por rezultatet nga ky takim mbeten të paqarta.

BE-ja është partneri i tretë më i madh tregtar i Australisë; tregtia e mallrave dhe shërbimeve midis tyre arriti në pothuajse 72 miliardë dollarë vitin e kaluar./rel/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme