Google ADS

Gjysmë milioni civilë zhvendosen nga Idlibi si pasojë e luftimeve

10:53 | 5 Shkurt 2020
Arbresh.info

Ofensiva e forcave qeveritare siriane në provincën Idlib, të drejtuar nga rebelët, ka shkaktuar një prej valëve më të mëdha të zhvendosjes në luftën nëntëvjeçare në Siri.

Disa javë të bombardimeve dhe sulmeve tjera gjatë ofensivës kanë boshatisur qyteza të tëra në provincën Idlib, pasi njerëzit janë nisur drejt kufirit me Turqinë.

“Nga 1 dhjetori, rreth 520,000 persona janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre, rreth 80 për qind e tyre janë gra dhe fëmijë”, ka thënë David Swanson, zëdhënës i Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinim Humanitar.

Ai ka thënë se OKB-ja është e alarmuar me vështirësitë që u kanë dalë përpara më shumë se 3 milionë banorëve që kanë jetuar në Idlib dhe zonat e afërta.

Trupat qeveritare dhe forcat e milicisë, të përkrahura nga forcat ruse dhe aleatë të tjerë, kanë shtuar në javët e fundit presionin kundër rajonit të dominuar nga xhihadistët.

Forcat e regjimit po ashtu janë përleshur edhe me trupat turke të hënën, përshkallëzim, të cilin shefi i OKB-së, Antonio Guterres e ka cilësuar “shumë shqetësues”.

Ankaraja ka thënë se nga të shtënat kundër pozicioneve turke kanë vdekur pesë ushtarë turq dhe tre civilë.

Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut ka raportuar se nga sulmet hakmarrëse të Turqisë kanë vdekur të paktën 13 trupa të forcave qeveritare siriane.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan i ka thënë të martën homologut të tij rus, Vladimir Putin se Ankaraja do të përgjigjet “ashpër” nëse do të ketë një tjetër sulm sirian.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka përkrahur aleaten e NATO-s, Turqinë, duke e cilësuar sulmin e forcave siriane si “përshkallëzim të rëndë” dhe ka thënë se zyrtarët amerikanë “përkrahin plotësisht arsyetimin e Turqisë për veprime që mbrojnë veteveten”. /rel

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme