Gjyqi ndaj ish presidentit Donald Trump në çështjen penale të pagesës për të siguruar heshtjen e dy grave, do të fillojë siç ishte caktuar më 25 mars me përzgjedhjen e jurisë, njoftoi gjykatësi në Nju Jork. Ai hodhi poshtë përpjekjet e avokatëve të zotit Trump për ta shtyrë atë.
Vendimi nënkupton që njëri nga katër gjyqet penale kundër zotit Trump do të përqëndrohet në akuzat shumëvjeçare se ka provuar të fshehë marrëdhëniet jashtëmartesore që dolën në pah gjatë fushatës së tij presidenciale në vitin 2016. Në rastet e tjera, zoti Trump akuzohet për përmbysje të rezultatit zgjedhor të zgjedhjeve të vitit 2020 dhe grumbullimin e jashtëligjshëm të dokumenteve sekrete në pronën e tij në Florida.
Duke mos e lëvizur datën e fillimit të gjykimit, gjykatësi Juan Manuel Merchan mori parasysh vonesën në çështjen gjyqësore të Uashingtonit, çështje që lidhet me përpjekjet për përmbysjen e rezultatit zgjedhor dhe gjykimi i së cilës fillimisht ishte përcaktuar të fillonte më 4 mars, pothuajse është ngrirë në pritje të rezultatit të apelit të bërë nga zoti Trump mbi çështjen ende të pashqyrtuar nëse ish presidenti ka imunitet nga ndjekja penale për veprimet që ndërmerren gjatë periudhës që është në detyrë në Shtëpinë Bardhë.
Duke iu referuar kundërshtimeve që kishte paraqitur avokati i zotit Trump para disa muajsh duke kërkuar shtyrjen e gjykimit, gjykatësi Merchan tha: “Më vjen mirë që mora këtë qëndrim pasi ja ku jemi – çështja e Uashingtonit nuk eci përpara”.
Sipas tij, gjyqi për çështjen e pagesës për të siguruar heshtjen pritet të zgjasë gjashtë javë.
Nëse çështja e Nju Jorkut i përmbahet këtij kalendari, do të hapet vetëm disa javë pas zgjedhjeve të Super Tuesday (ditës kur mbahen zgjedhje paraprake në shumicën e shteteve amerikane), duke u përplasur me kalendarin politik gjatë një periudhe kohore në të cilën zoti Trump do të mundohet ta përmbyllë garën republikane dhe të sigurojë emërimin e tij si kandidat presidencial për zgjedhjet. Avokatët e tij iu referuan këtij programi kalendarik ndërsa u përpoqën të kundërshtojnë datën e gjykimit në mars.
“Kundërshtojmë fuqishëm atë që po ndodh në këtë gjykatë”, deklaroi avokati mbrojtës Todd Blanche, duke shtuar se “fakti që tani ne do të kalojmë, që President Trump do të kalojë, dy muajt e ardhshëm duke punuar për këtë gjykim, në vend që të jetë në fushatën për president, është diçka që nuk duhet të ndodhë në këtë vend.”
Zoti Trump bëri një argument të ngjashëm ndërkohë që doli nga sall e gjyqit, duke iu thënë gazetarëve se “në vend që të jem në Karolinën e Jugut dhe shtetet e tjera duke bërë fushatë, jam ngujuar këtu”.
“Na duhet t’i japim zgjidhje”, shtoi ai. “Do të jem këtu gjatë ditës dhe do të jem duke bërë fushatë gjatë natës.”
Në fakt, zoti Trump vazhdimisht ka marrë pjesë në seancat gjyqësore ndonëse prania e tij nuk ishte e domosdoshme. Kjo është hera e parë që zoti Trump u rikthye në gjykatën e Nju Jorkut që pas rastit penal historik që e shndërroi atë në ish presidentin e parë ndaj të cilit është ngritur aktpadi për vepër penale. Që atëherë, ndaj tij është ngritur aktpadi në shtetin e Floridës, në Xhorxhia dhe në Uashington.
Javëve të fundit, ai ka bashkërenduar aktivitetet e fushatës me paraqitjet për çështjet gjyqësore. Të hënën ai mori pjesë vullnetarisht në një seancë të mbyllur dëgjimore në çështjen e Floridas, ku akuzohet se ka marrë dhe mbajtur dokumente sekrete.
Ndërkohë që filloi seanca dëgjimore në çështjen gjyqësore të Nju Jorkut, një seancë tjetër u zhvillua në Atlanta ku një gjykatës shqyrtoi argumentat nëse prokurorja e Qarkut Fulton, Fani illis duhet të skualifikohet nga çështja që shqyrton ndërhyrjen e zotit Trump në procesin zgjedhor në shtetin e Xhorxhias, për shkak të marrëdhënies së saj personale me prokurorin e posaçëm Nathan Wade, të cilin e caktoi për të punuar me këtë çështje.
Rasti i Nju Jorkut konsiderohet më i lehti nga katër paditë e ngritura kundër zotit Trump vitin e kaluar për shkeljen e pretenduar – për të cilën publiku është në dijeni prej vitesh – që shumë e konsiderojnë si më të lehtë se akuzat për mbajtje të paligjshme të dokumenteve sekrete, apo përpjekjeve për të përmbysur rezultatin zgjedhor.
Rasti i Uashingtonit, që ka të bëjë me ndërhyrjen në rezultatin zgjedhor, u shty zyrtarisht muajin e kaluar dhe tani Gjykata e Lartë po shqyrton çështjen e imunitetit. Nuk është vendosur ende një datë e re. Data 20 maj është caktuar për çështjen gjyqësore që ka të bëjë me dokumentet sekrete në Florida, por edhe kjo datë mund të shtyhet. Për gjyqin në Atlanta nuk ka ende një datë.
Gjatë vitit të fundit, zoti Trump ka shprehur zemërimin e tij ndaj gjykatësit Merchan, duke e quajtur atë një “gjykatës që e urren Trump-in”, duke kërkuar pa sukses që ai të dorëhiqet nga çështja dhe që çështja të dërgohet nga gjykata shtetërore në atë federale. Gjykatësi Merchan ka pranuar se ka bërë disa kontribute financiare të vogla për demokratët, përfshirë 15 dollarë donacion Presidentit Biden, rivalit të zotit Trump, por ka deklaruar se është i sigurtë “për aftësinë e tij që të jetë i drejtë dhe i paanshëm”.
Zoti Trump po ashtu po pret një vendim, që mbase mund të merret të premten, në çështjen me akuza për mashtrim në Nju Jork, që rrezikon të shpërbëjë perandorinë e tij të pasurive të patundshme. Nëse gjykatësi vendos kundër zotit Trump, i cili akuzohet se ka fryrë pasurinë e tij për të mashtruar bankat, kompanitë e sigurimit dhe të tjerët, ai mund të detyrohet të paguajë miliona dollarë gjoba dhe të përballet edhe me ndëshkime të tjera.
Krahas informimit për kalendarin e procesit gjyqësor, gjykatësi Merchan po ashtu hodhi poshtë kërkesën e avokatëve të zotit Trump për të hedhur poshtë rastin.
Avokatët e zotit Trump, Todd Blanche dhe Susan Necheles akuzojnë Prokurorin e Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg, i zgjedhur nga radhët e demokratëve, se ka ngritur padinë për të ndërhyrë në shanset e zotit Trump që të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë. Paraardhësi i zotit Bragg, Cyrus Vance Jr., pati refuzuar të ngrinte një padi të ngjashme.
Për akuzat e ngritura ndaj zotit Trump mund të jepen katër vjet vuajtje dënimi me burg, ndonëse nuk ka garanci se vendimi mund të rezultojë me vuajtje të dënimit me burg.
Rasti ka të bëjë me pagesën dhënë dy grave, aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels dhe ish modeles së revistës “Playboy” Karen McDougal, si dhe kujdestarit të kullës “Trump Towers”, i cili pretendoi se ka informacion se zoti Trump ka një fëmijë jashtë martese. Zoti Trump i mohon këto pretendime.
Avokati i atëhershëm i zotit Trump, Michael Cohen, pagoi aktoren Daniels 130 mijë dollarë dhe kishte aranzhuar që botuesi i revistës “National Enquirer” t’i paguante modeles McDougal 150 mijë dollarë për të blerë heshtjen e tyre.
Më pas, firma e zotit Trump pagoi avokatin Cohen 420 mijë dollarë dhe i paraqiti pagesat si shpenzime për shërbime ligjore, dhe jo si kompensim, sipas prokurorëve. Prokurori Bragg ngriti akuzë ndaj zotit Trump vitin e kaluar për falsifikimin e regjistrave të brendshëm të kompanisë së tij për të fshehur natyrën e vërtetë të pagesave.
Ekipi ligjor i zotit Trump thotë se nuk është bërë asnjë shkelje./voa
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...